Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka ngritur lartë veprën dhe kontributin e Profesor Fehmi Aganit. Ajo duke folur për profesor Aganin thotë se ai nuk ishte vetëm profesor, as vetëm figurë politike.
“Ishte njeri pranë të cilit je rritur politikisht e kombëtarisht, edhe kur ke qenë shumë i ri për ta kuptuar plotësisht peshën e kohës që po jetoje”, shkruan Gërvalla në Facebook.
Ajo thotë tutje se Profesor Agani dhe Sali Çekaj herët e kishin kuptuar që liria nuk fitohet vetëm me armë, e aq më pak vetëm me fjalë.
Në këtë rast ajo bën një falënderim të veçantë për Konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, z. Saim Tahiraj dhe Shoqatës Sali Çekaj, si dhe Muzeut të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite mbresëlënëse.
Postimi i plotë:
Sot nuk do të mund të flas për profesor Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, trurin e rezistencës sonë civile, aspak pasive, vetëm si figurë historike, sepse për shumë prej nesh ai nuk ishte vetëm profesor, as vetëm figurë politike. Ishte njeri pranë të cilit je rritur politikisht e kombëtarisht, edhe kur ke qenë shumë i ri për ta kuptuar plotësisht peshën e kohës që po jetoje.
Më kujtohen mirë aktivitetet, takimet, organizimet tona të shumta dhe të ndryshme të atyre viteve. Ne të rinjtë shpesh hynim me emocione, me energji, nganjëherë edhe me padurim. Ndërsa ai rrinte i qetë. Gjithmonë i qetë. Jo nga mungesa e shqetësimit. Përkundrazi. Por sepse e kuptonte më mirë se shumica se popujt nuk mbijetojnë vetëm me zemërim. Mbijetojnë me mençuri, me durim dhe me vizion.
Fisnik, i urtë e i matur deri në skaj, Profesor Agani nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të bindur askënd. As për patetikë, për fjalë të mëdha apo për kult personal. Mjaftonte prania e tij. Qetësia e tij. Logjika e tij. Besimi i tij i palëkundur në lirinë dhe Republikën e Kosovës.
Në ato vite të vështira, kur shumëçka ishte pasiguri, profesor Agani sillte kthjelltësi. Kur kishte zemërim, ai sillte maturi. Kur kishte frikë, ai sillte guxim të qetë. Shpesh, me humorin e tij të rrallë dhe me ndonjë shaka të vogël, zgjidhte situatat më të tensionuara që krijoheshin.
Sot në këtë sallë ndodhen shumë njerëz që e kanë njohur nga afër. Edhe të tillë që kanë kaluar vite të tëra me të dhe krah tij. Dhe e di që do të pajtoheni me konstatimin që: profesor Agani nuk e ngrinte kurrë veten mbi kauzën. Nuk kishte ego politike. Nuk kishte nevojë të dominonte dhomën.
Forca e tij ishte pesha e mendimit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë gëzonte respektin edhe të njerëzve shumë të ndryshëm mes vete. Edhe lidhja e tij shumë e veçantë me Salihun, Sali Çekajn, është aq domethënëse dhe flet shumë për këtë periudhë dhe për atë brez.
Sepse, edhe në atë kohë kishte shumë njerëz që flisnin, flisnin shumë e madje bërtisnin.
Më pak ishin ata që bartnin barrën reale të organizimit, të rezistencës dhe të sakrificës. Profesor Agani dhe Sali Çekaj herët e kishin kuptuar që liria nuk fitohet vetëm me armë, e aq më pak vetëm me fjalë. Ajo fitohet vetëm atëherë kur njerëz të ndryshëm, me role të ndryshme, i shërbejnë të njëjtit ideal.
Dhe ky është mësim që sot mbetet po aq i rëndësishëm. Ata i përkisnin një brezi që nuk e matnin veten me zhurmë, me propagandë apo me duartrokitje të çastit. E matnin me atë se çfarë i sillnin Kosovës. Sepse tani që të dy nuk janë më fizikisht në mesin nesh, e kuptojmë më qartë çfarë peshe kishte prania e tyre. Sa siguri jepte mençuria e Fehmi Aganit e sa forcë jepte vendosmëria e Sali Çekajt.
Kosova sot është shtet.
Por ka ende nevojë për atë kulturë përgjegjësie që ata përfaqësonin. Për njerëz që nuk e duan vendin vetëm me fjalë, por edhe me karakter.
Sot, kur e kujtojmë profesor Aganin, nuk kujtojmë vetëm një njeri të vrarë nga regjimi serb.
Kujtojmë një mendje që i dha drejtim rezistencës sonë politike. Një njeri serioz, të urtë dhe të palëkundur.
Sot, kur flasim për profesor Fehmi Aganin, nuk kujtojmë vetëm një intelektual apo politikan.
Kujtojmë një kulturë politike që sot na mungon shpesh: seriozitetin, maturinë, përgjegjësinë ndaj fjalës dhe ndaj shtetit.
Ai nuk ishte produkt i momentit. Ishte njeri i shtetit, para se shteti të ekzistonte. Ai i përkiste atij brezi që nuk punoi për duartrokitje të momentit, por për themelet e Kosovës. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse figura e tij mbetet ende kaq e madhe. Sepse koha nuk e ka zvogëluar. Përkundrazi.
Një falënderim i veçantë i shkon Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, z. Saim Tahiraj dhe Shoqatës Sali Çekaj, si dhe Muzeut të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite mbresëlënëse.
Lavdi jetës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit.
Respekt i përhershëm për brezin që e mbajti Kosovën gjallë në kohët më të vështira.
