Lajme

Dorëheqje e pezullime pas vrasjes së Arlindës/ Njohësit kërkojnë llogaridhënie dhe reforma të thella

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e qytetarëve. Dorëheqja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pesë ditë pas vrasjes, si dhe pezullimi i disa zyrtarëve policorë e prokurorialë, kanë shtuar kërkesat për zbardhjen e plotë të rastit dhe llogaridhënie.

Publikimi i audioincizimeve, në të cilat Arlinda kërkonte mbrojtje, ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e saj dhe nëse institucionet kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar tragjedinë.

Përtej dorëheqjeve dhe pezullimeve, mbetet thelbësore të përcaktohet përgjegjësia për çdo veprim apo mosveprim të mundshëm. Hetimet duhet të sqarojnë nëse ka pasur neglizhencë nga zyrtarët përgjegjës dhe nëse dështimet kanë përfshirë edhe nivelet drejtuese. Rasti ka rikthyer gjithashtu debatin për funksionimin e Policisë, Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Një tjetër çështje e rëndësishme është nëse kjo tragjedi do të pasohet me reforma konkrete dhe mekanizma më efektivë për mbrojtjen e viktimave, në mënyrë që institucionet të mos reagojnë vetëm pas ngjarjeve të rënda, por të ndërhyjnë në kohë për të parandaluar raste të ngjashme.

Lidhur me këto zhvillime, ish-hetuesi Agim Rexhepi dhe juristi Blerim Burjani, në prononcime për “Bota sot”, kanë folur për përgjegjësinë institucionale, nevojën për llogaridhënie dhe reformat që duhen ndërmarrë në sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë.

Rexhepi: Tragjedia e Arlindës të mos politizohet, përgjegjësia të shkojë deri te drejtuesit nëse provohet dështimi

Duke komentuar vrasjen e Arlinda Zekajt dhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e saj për mbrojtje, ish-hetuesi Agim Rexhepi thekson se rasti duhet të hetohet me seriozitet dhe objektivitet.

Image
Agim Rexhepi

Sipas tij, përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit, pa e shndërruar tragjedinë në mjet të përplasjeve politike.

“Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës është një ngjarje që duhet ta tronditë ndërgjegjen e secilit prej nesh. Para së gjithash, kemi të bëjmë me humbjen e një jete njerëzore dhe me një familje të goditur nga një tragjedi e rëndë. Prandaj, kjo çështje kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi, e jo politizim dhe përfitime ditore politike.

Është e domosdoshme që të hetohet deri në fund mënyra se si janë trajtuar kërkesat e Arlindës për mbrojtje. Nëse vërtetohet se zyrtarë të caktuar policorë apo prokurorialë kanë neglizhuar detyrat e tyre, ata duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë para ligjit, pa marrë parasysh pozitën, funksionin apo ndikimin që mund të kenë.

Megjithatë, duhet të kemi kujdes që përgjegjësia për një rast të tillë të mos përdoret për të ndërtuar një narrativë politike kundër udhëheqësve të Qeverisë Kurti. Dhuna në familje, vrasjet dhe rastet e dështimit të institucioneve për t’i mbrojtur viktimat nuk janë dukuri që kanë filluar sot. Ato kanë ekzistuar edhe shumë vite më parë, në periudha të ndryshme qeverisëse, kur fatkeqësisht jo gjithmonë është kërkuar llogaridhënie në nivelin e duhur.

Kjo nuk do të thotë se gabimet e së kaluarës duhet të justifikojnë gabimet e së tashmes. Përkundrazi, do të thotë se duhet të vendosim një standard të njëjtë për të gjithë: kushdo që ka dështuar në përmbushjen e detyrave ligjore, duhet të përgjigjet”, deklaroi Rexhepi.

Duke folur për përgjegjësinë e niveleve drejtuese, Rexhepi në prononcimin e tij për “Bota sot” nënvizon se hetimet duhet të sqarojnë jo vetëm veprimet e zyrtarëve që kanë trajtuar rastin, por edhe nëse ka pasur dështime në mbikëqyrje.

Ai thekson se përgjegjësia nuk mund t’u atribuohet automatikisht drejtuesve politikë për çdo krim që ndodh në vend, por as nuk mund të përjashtohet kur faktet dëshmojnë për dështime institucionale.

“Duhet ta kuptojmë një gjë themelore: Policia dhe Prokuroria janë institucione profesionale me përgjegjësi dhe zinxhirë të përcaktuar komandues. Përgjegjësia duhet të fillojë nga ata që kanë pasur detyrimin konkret për të vepruar, por duhet të shtrihet edhe te nivelet drejtuese nëse hetimet dëshmojnë se kanë pasur dijeni për rrezikun dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Nuk mund të kërkohet automatikisht përgjegjësi politike nga udhëheqësit e Qeverisë për çdo krim që ndodh në vend, sikurse nuk mund të përjashtohet përgjegjësia institucionale kur ajo provohet me fakte. Këto janë dy çështje të ndryshme dhe duhet të trajtohen me objektivitet.

Është pozitive që pas këtij rasti janë ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve policorë dhe prokurorialë, si dhe janë iniciuar mekanizma hetimorë dhe parlamentarë. Por pezullimi nuk është dënim dhe as përfundim i hetimit. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund dhe të përcaktojë se kush ka vepruar, kush nuk ka vepruar dhe kush ka pasur përgjegjësi mbikëqyrëse”, u shpreh ai.

Rexhepi vlerëson se rasti i Arlinda Zekajt duhet të shërbejë si shtysë për përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Ai thekson se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe se tragjeditë njerëzore nuk duhet të përdoren për interesa partiake apo për të shmangur përgjegjësinë.

“Mesazhi im do të ishte: Jeta e qytetarit nuk duhet të ketë ngjyrë politike, ndërsa përgjegjësia nuk duhet të ketë parti.

Arlinda Zekaj dhe çdo viktimë e dhunës në familje meritojnë drejtësi. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa qytetarët meritojnë institucione që reagojnë në kohë dhe i mbrojnë ata.

Nuk duhet të presim një tjetër tragjedi që të kujtohemi për përgjegjësitë tona. Ky rast duhet të shërbejë për përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes, koordinimin ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, si dhe për një kulturë të mirëfilltë të llogaridhënies.

Drejtësia nuk duhet të jetë selektive, përgjegjësia nuk duhet të jetë partiake dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve duhet të jetë detyrim i përhershëm i shtetit!”, theksoi Rexhepi.

Burjani: Dështimet janë sistematike prej vitesh, duhen reforma në polici, prokurori dhe gjykata

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani për “Bota sot” vlerëson se rasti i Arlinda Zekajt nuk duhet të trajtohet si një dështim i izoluar, por duhet të shërbejë për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave të rendit dhe drejtësisë në Kosovë.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë trajtimin e duhur të rasteve të dhunës, vlerësimin e rrezikut dhe ndërhyrjen në kohë për mbrojtjen e viktimave. Ai thekson se nevojiten riorganizim dhe reforma, në mënyrë që dështimet të mos përsëriten.

“Kjo çështje plotësisht i përket rendit dhe ligjit, dështimi i tyre është sistematik prej vitesh. Është çështje e riorganizimit dhe reformës së MPB-së, KPK-së dhe KGJK-së. Pjesa e politikës mund të jetë përgjegjëse vetëm për të ofruar shërbime dhe kujdes përmes qendrave sociale, pra tema është ekskluzivisht e policisë lokale dhe sistemit prokurorial dhe gjyqësor”, deklaroi Burjani.

Duke folur për masat që mund të parandalojnë përsëritjen e rasteve të tilla, Burjani thekson se duhet të krijohet një mekanizëm efektiv mbrojtës dhe se parandalimi duhet të jetë prioritet i institucioneve përgjegjëse.

“Pra, duhet të bëhet një mekanizëm efektiv mbrojtës. Preventiva duhet të jetë politika kryesore që do të udhëheqë organet e rendit dhe ato të drejtësisë, si dhe qendrat për punë sociale”, përmbylli Burjani për “Bota sot”.

Të Ngjashme