Lajme

Drafti i KE-së: Kosova pa progres në fushat themelore, Serbia kritikohet për Banjskën

Raportet vjetore të Komisionit Evropian publikohen më 4 nëntor. Brukseli u kërkon të dyja palëve hapa konkretë në dialog.

Komisioni Evropian do t’i publikojë më 4 nëntor raportet vjetore për vendet e zgjerimit. Draftet që kanë dalë në publik përmbajnë kritika edhe për Kosovën, edhe për Serbinë. Sipas tyre, dialogu mbetet thelbësor që të dyja vendet të ecin drejt BE-së. Mungesa e progresit do të ketë kosto politike dhe ekonomike.

Për Kosovën, drafti thotë se nuk është shënuar progres në fushat themelore. Fragmentimi politik ka penguar funksionimin e institucioneve. Kosova kritikohet edhe për veprime të përsëritura që, sipas Komisionit, bien ndesh me detyrimet e dialogut. Këtu përfshihen aksionet policore ndaj strukturave të mbështetura nga Serbia. Sipas draftit, statusi i këtyre strukturave duhet të trajtohet përmes marrëveshjeve të dialogut dhe ligjit të Kosovës, jo me masa të pakoordinuara.

Situata në veri përshkruhet si e qetë, por e brishtë. Komisioni vëren se nuk ka progres në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe e fton Kosovën ta nisë këtë proces. Brukseli kërkon gjithashtu konsultime të strukturuara me serbët e Kosovës dhe bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun. Për urën mbi Ibër, drafti thotë se duhet hapur, por me koordinim më të mirë mes komunave dhe institucioneve qendrore.

Kritikat për Serbinë janë të ashpra. Sipas draftit, Beogradi ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e veta, duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sidomos në Këshillin e Evropës dhe Interpol. Raporti thotë po ashtu se retorika nxitëse e zyrtarëve serbë minon normalizimin. Serbia nuk ka bërë asnjë hap domethënës për llogaridhënie për sulmin në Banjskë të shtatorit 2023.

Raportet vijnë në një moment kur në Serbi po formohet pushteti i ri, pas fitores së Listës Studentore. Dokumentet përfundimtare publikohen të mërkurën.

Të Ngjashme