Lajme

Lista Studentore: dialog me Prishtinën, por vetëm brenda Kushtetutës së Serbisë

BE-ja i kujton Beogradit se ndërrimi i pushtetit nuk i ndryshon detyrimet nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

Pushteti i ri që po formohet në Beograd nuk po jep shenja ndryshimi në qëndrimin ndaj Kosovës. Ilija Srdanoviq, i pari në Listën Studentore që fitoi zgjedhjet në Serbi, ka premtuar vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Programi i Listës Studentore e trajton Kosovën në kuadër të Kushtetutës serbe dhe të Rezolutës 1244 të OKB-së, me theks te përmirësimi i pozitës së serbëve në Kosovë.

Edhe shoqëria civile serbe nuk pret ndryshim të shpejtë. Bojana Sellakoviq, nga Konventa Kombëtare për BE-në, vlerëson se dialogi ka gjasa të mbetet në gjendjen e tanishme, “ndërsa vëmendja do të përqendrohet në çështje të tjera”. Dragana Gjurica, nga Lëvizja Evropiane në Serbi, tha se ndërrimi i pushtetit nuk garanton politikë tjetër ndaj Kosovës, por mund të hapë hapësirë për një qasje ndryshe.

BE-ja ka kujtuar se detyrimet e Serbisë në dialog, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, mbeten të njëjta pavarësisht ndërrimit të pushtetit.

Kryeministri Kurti ka shprehur shpresë se pushteti i ri do ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq është shprehur kundër dorëzimit të Milan Radoiçiqit në Kosovë.

Të Ngjashme