Zëvendësministri i parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR), Ali Dula, ka realizuar më 14 tetor 2026 një vizitë zyrtare në Komunën e Kamenicës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përcjelljes së ecurisë së projekteve kapitale që po realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe Komunës.
Gjatë vizitës, Dula u prit nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, koordinimin institucional dhe realizimin e projekteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin socio-ekonomik të komunës.
Kryetari Rahimaj vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për realizimin e projekteve që janë në interes të qytetarëve.
Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit institucionalë vizituan nga afër dy projekte kapitale në Kamenicë, “Parkun e Aventurave” dhe “Parkun Teknologjik”, të cilat po realizohen në bashkëpunim ndërmjet MZHR-së dhe Komunës së Kamenicës.
Gjatë vizitës në terren, ata u njoftuan me ecurinë e punimeve dhe diskutuan për rëndësinë e përfundimit të këtyre projekteve. U theksua se investimet e tilla synojnë krijimin e hapësirave të reja për rekreacion, inovacion dhe zhvillim teknologjik, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të komunës.
Zëvendësministri i parë, Ali Dula, ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vazhdimin e bashkëpunimit me komunat dhe mbështetjen e projekteve kapitale që adresojnë nevojat konkrete të qytetarëve dhe ndikojnë në zhvillimin e balancuar rajonal.
Vizita u përmbyll me riafirmimin e gatishmërisë së të dyja palëve për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin lokal dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kamenicës.
