Lajme

E mërkura vendimtare për Kuvendin? Gazmir Raci kërkon përgjegjësi nga partitë

Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen të mërkurën paradite për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit, e cila mbeti e papërfunduar muajin e kaluar.

Seanca zhvillohet në përpjekje për të zhbllokuar procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit. Deputetët pritet të përballen me presion të shtuar politik për arritjen e një marrëveshjeje dhe për t’i dhënë fund krizës së zgjatur institucionale.

Konstituimi i Kuvendit shihet si hap i domosdoshëm për funksionalizimin e institucioneve të reja dhe për hapjen e rrugës drejt proceseve të tjera kushtetuese.

Analisti politik, Gazmir Raci, ka kërkuar nga subjektet politike që të mërkurën të tregojnë përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje serioze për konstituimin e Kuvendit.

Raci ka thënë se pas një periudhe të gjatë të bllokadës politike, Kosova nuk ka më kohë për humbje dhe vazhdim të krizës institucionale.

“Të mërkurën pres që subjektet politike të tregojnë përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje serioze për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Pas një periudhe kaq të gjatë të bllokadës politike, Kosova nuk ka më luks për humbje kohe dhe vazhdim të krizës institucionale.

Konstituimi i Kuvendit është hapi i parë dhe i domosdoshëm për funksionalizimin e institucioneve të reja. Nëse ka marrëveshje politike për përmbylljen e kësaj procedure, atëherë hapet rruga edhe për proceset e tjera kushtetuese që pasojnë”, tha ai.

Image
Gazmir Raci

Ai ka vlerësuar se pranimi i parimit për një president konsensual është hap pozitiv, duke e cilësuar Bekim Sejdiun si figurë të përshtatshme për këtë rol.

Sipas tij, refuzimi i kandidaturës nga gjashtë deputetë të LDK-së për arsye personale nuk duhet të pengojë krijimin e institucioneve stabile.

“Sa i përket Presidentit, është pozitive që Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar parimin që vendi të ketë një president konsensual. Kjo është rruga e duhur, sepse Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e vendit dhe jo vetëm një shumicë parlamentare. Në këtë kuptim, dr. Bekim Sejdiu ishte emri i duhur në kohën e duhur, një figurë me profil institucional, profesional dhe me potencial për të krijuar konsensus më të gjerë politik.

Është për keqardhje që, sipas asaj që është bërë publike, gjashtë deputetë të LDK-së po refuzojnë ta mbështesin kandidaturën e tij për shkak të raporteve apo inateve personale. Interesat dhe përplasjet personale nuk duhet të vendosen mbi nevojën e vendit për institucione stabile. Kosova nuk duhet të humbasë një mundësi për konsensus për shkak të kalkulimeve individuale.

Kosovës i duhen institucione funksionale, stabilitet politik dhe rikthim i fokusit te sfidat e brendshme dhe agjenda ndërkombëtare. Përgjegjësia tashmë është drejtpërdrejt te përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, – përfundoi ai.

Të Ngjashme