Aktuale

Edi Rama hedh në “gojën” e SPAK Belinda Ballukun, kryeministri i kërkoi nga Asambleja e PS të gjejë avokat për t’u mbrojtur nga drejtësia

Në një lëvizje që ngjan më shumë me një dorëzim pa kushte sesa me një mbrojtje politike, kryeministri Edi Rama është distancuar hapur nga ish-bashkëpunëtorja e tij e ngushtë Belinda Balluku, duke deklaruar se problemet me drejtësinë janë çështje personale. Nga Asambleja e Partisë Socialiste kryeministri Rama ua bëri të qartë të gjithëve bashkëpunëtorëve se e kanë vendin para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nëse janë përfshirë në afera. I drejtpërdrejtë në atë që thoshte, madje në mënyrë cinike apo pragmatiste, Rama zgjodhi të shigjetojë Ballukun hapur, të cilës i kërkoi të mbrohet me avokatë në betejën që ajo ka me drejtësinë. Sipas tij, fakti që nuk votuan pro heqjes së imunitetit, nuk ndikoi në hetimet e SPAK dhe çështja e Ballukut shkoi për gjyq. “U ngrit një furi se si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta ime, që unë e kam ndarë me ju?Është e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara, dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën. Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë. Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. Kemi punuar më shumë se një vit, apo gati dy vjet, me paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës, kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë”, deklaroi Rama.

Të Ngjashme