Lajme

Çitaku: Kosova lihet jashtë, ndërsa këngës nacionaliste serbe i jepet skenë në Bruksel

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar këtë veprim si skandal dhe provokim të hapur. Ajo ka theksuar se në një forum që synon të diskutojë të ardhmen evropiane të rajonit nuk duhet t’u jepet hapësirë melodive që, sipas saj, ushqejnë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Çitaku ka thënë se, pavarësisht nëse incidenti ka ndodhur nga injoranca apo qëllimi, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale. Ajo ka vlerësuar se keqardhja e komisioneres Marta Kos nuk mjafton dhe ka kërkuar nga Komisioni Evropian sqarim, kërkimfalje dhe garanci se një rast i tillë nuk do të përsëritet.

Sipas saj, Kosova duhet të përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë çështje dhe për të kërkuar përgjegjësi. Në fund, Çitaku ka rikujtuar se përkushtimi i Kosovës ndaj integrimit evropian mbetet i palëkundur, por ka theksuar se vendi meriton të ketë vendin dhe zërin e tij në debatin për zgjerimin e BE-së.

Postimi i plotë: 

Kosovën e lënë jashtë, provokimit i japin skenë!

Në një forum për të ardhmen evropiane të rajonit, interpretimi i një melodie nacionaliste serbe që ushqen pretendime ndaj Kosovës është skandal dhe provokim i hapur.

Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale.

Keqardhja e komisioneres Marta Kos është e nevojshme, por nuk mjafton. Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje. Pajtimi fillon me respektin për kujtesën dhe dinjitetin e secilit popull.

Përkushtimi ynë ndaj BE-së mbetet i palëkundur. Pikërisht për këtë, kërkojmë përgjegjësi në emër të vlerave evropiane.

Kosova meriton vendin dhe zërin e saj në debatin për zgjerimin. Institucionet tona duhet të përdorin të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë skandal dhe për të kërkuar përgjegjësi.

E ardhmja evropiane e rajonit nuk ndërtohet duke përjashtuar Kosovën dhe duke u dhënë skenë pretendimeve kundër saj.

Të Ngjashme