Aktuale

Skandal në Bruksel, këngë serbe kundër Kosovës në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian

Skandal në Bruksel: Interpretohet kënga nacionaliste serbe në aktivitetin e BE-së, Komisionerja Marta Kos kërkon falje

BRUKSEL — Kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës, “Oj Kosovo, Kosovo”, është interpretuar në Bruksel gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres për zgjerim, Marta Kos.

Ironia qëndron dhe në faktin se kënga antishqiptare u performua pikërisht në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, ku krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.

Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.

E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.

Ajo u krijua në kohën e ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit

Çfarë ndodhi dje

Sipas programit zyrtar, dje më 15 nëntor në koncertin “Meloditë e unitetit” ishte parashikuar interpretimi i orkestrës së të rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, ku edhe pse vargjet nuk u arrit të dëgjohen, titulli i këngës u shfaq në ekran.

Ngjarja shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarët e Kosovës. Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e cilësoi situatën si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar shpjegime dhe masa nga komisionerja Marta Kos.

“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, shkroi Zulfaj në platformën “X”.

Edhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, dënoi përfshirjen e kësaj melodi në një event zyrtar të Komisionit Evropian, duke e quajtur atë promovim të pretendimeve irredentiste ndaj territorit të Republikës së Kosovës.

“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe ‘Oj Kosovo, Kosovo’. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bajrami në platformën “X”.

Pas reagimeve të zyrtarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kërkoi falje dhe shprehu keqardhje për këtë incident. Në një prononcim për gazetarët më 16 nëntor, Kos theksoi se përzgjedhja e kësaj kënge nga muzikantët nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet zyrtare të Komisionit Evropian.

Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar njerëzit në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës.

Emini: Përzgjedhja e këngës serbe nuk duket të ketë qenë rastësi

Ekspertja për çështje evropiane, Donika Emini, e cila ishte e pranishme në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit në Bruksel, nuk beson se përzgjedhja e melodisë së këngës serbe për Kosovën ishte rezultat i pakujdesisë.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se organizatorët duhej të kishin treguar më shumë kujdes ndaj ndjeshmërive historike dhe politike të rajonit.

“Nuk mendoj që është prej pakujdesisë”, tha Emini, duke theksuar se problemi nuk qëndron te gjuha serbe e këngës, por te pretendimet territoriale ndaj Kosovës që përmban teksti i saj.

Ajo kritikoi edhe faktin që komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ia atribuoi përzgjedhjen e këngës muzikantëve, duke theksuar se përgjegjësia për repertorin nuk mund të shmanget në këtë mënyrë.

Emini tha se incidenti ngre shqetësime më të gjera për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, veçanërisht në një kohë kur të dyja palët po përpiqen t’i riparojnë marrëdhëniet pas tensioneve të viteve të fundit.

“Ndikimi është shumë i madh”, tha ajo, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ndikojë negativisht jo vetëm në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe në atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Brukselit.

Të Ngjashme