Lajme

​Ekstradohet qytetari i Kosovës i kapur në Belgjikë, arrestohet gjerman i kërkuar nga Spanja, të dy i lypte Interpoli

Policia e Kosovës ka ekstraduar nga Belgjika një shtetas kosovar të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it, ndërsa në një aksion tjetër në Prishtinë ka arrestuar një shtetas gjerman, i cili kërkohej nga autoritetet spanjolle, po ashtu me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Në rastin e parë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar të mërkurën ekstradimin e shtetasit kosovar me inicialet L.B. nga Belgjika në Kosovë.

Sipas njoftimit, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet belge pasi kërkohej nga INTERPOL-i me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Pas ekstradimit, ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit për vazhdimin e procedurave ligjore.

Ndërkaq, po të mërkurën, rreth orës 13:45, zyrtarët e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me Policinë e rajonit të Prishtinës, arrestuan shtetasin gjerman me inicialet A.J.

Policia bëri të ditur se ai kërkohej nga INTERPOL-i në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Spanjës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e parapara ligjore.

Të Ngjashme