Fatjon Softa, ekspert i sigurisë publike, ka bërë analizë të ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku një konflikt mes disa personave degradoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga të shtënat, humbi jetën biznesmeni Rexhep Ismaili dhe është plagosur një person ende i paidentifikuar. Mes palëve raportohet se ka pasur kundërpërgjigje dhe janë përdorur edhe armë automatike, ndaj eksperti vë theksin te disa elementë “të rrezikshëm”.
“Fakti që konflikti ndodh në një karburant e rrit shumë rrezikun publik. Një shkëmbim zjarri në një ambient me lëndë djegëse mund të sillte pasoja katastrofike për qytetarët dhe bizneset përreth”, shkruan Fation Softa, teksa shton dhe disa pyetje:
“Nëse rezulton që viktima apo persona të tjerë në vendngjarje kanë mbajtur armë zjarri, lindin natyrshëm pyetje profesionale:
– Jane armë me leje?
– Kush kishte dijeni për mbajtjen e tyre ne nje ambjent karburanti?
– A ka pasur kontrolle të mëparshme policore apo informacion operacional për konfliktin?
– Kemi të bëjmë me një konflikt pronësie që ka degraduar prej kohësh dhe nuk u parandalua apo mund te keni pista te tjera hetimi?”
Si ekspert sigurie, Fatjon Softa thotë se në ngjarje të tilla shpesh grupi hetimit analizon konfliktet e pronësisë, precedentët penalë, konfliktet ekonomike, lidhjet e mundshme me aktivitete informale apo kriminale, si dhe komunikimet telefonike dhe lëvizjet e fundit të palëve, pamjet filmike në zonë dhe në vendngjarje.
“Në aspektin e sigurisë publike, rasti tregon një problem më të gjerë, normalizimin e armëmbajtjes në konflikte civile ose biznesi. Kur palët zgjedhin të armatosen në vend që t’i drejtohen institucioneve, probabiliteti i një përfundimi fatal rritet ndjeshëm.
Nëse ka qenë i njohur konflikti mes palëve, do të ketë vlerësim edhe për inteligjencën parandaluese të policisë, monitorimin e personave me konflikte, dhe reagimin e Policise ndaj rasteve të rrezikut”, përmbyll eksperti Fatjon Softa.
