Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në një atentat të ndodhur në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë.
Autori i dyshuar e ka qëlluar disa herë viktimën, ndërsa më pas është larguar nga vendngjarja me një monopatinë elektrike.
Ngjarja ka ndodhur pak para orës 13:00, në ambientet e kompleksit sportiv dhe argëtues “Playa Flamenca Sport Club”, në zonën Playa Flamenca, në rrugën Nicolas de Bussi.
Sipas mediave spanjolle, 39-vjeçari ndodhej i ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person i armatosur iu afrua dhe hapi zjarr disa herë në drejtim të tij.
Shqiptari mbeti i vdekur në vend.
Pas atentatit, autori u largua me një monopatinë elektrike, ndërsa dëshmitarët që ndodheshin në zonë njoftuan menjëherë autoritetet.
Në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile, policia gjyqësore, specialistët e kriminalistikës dhe një ambulancë e shërbimit të urgjencës SAMU.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipit mjekësor, 39-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.
Mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Trupi i viktimës u transportua më pas në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante, ku pritet të kryhet autopsia për përcaktimin e detajeve mjeko-ligjore.
Ndërkohë, Garda Civile spanjolle ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili vijon të jetë në kërkim.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, një nga pistat e hetimit është ajo e një larjeje hesapesh, por motivi i krimit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
