Aktuale

Elektricisti nga Elbasani humbi jetën gjatë stuhisë në Himarë, priste të bëhej gjysh, familja pa mbështetje

Në kushte të vështira atmosferike dhe shpeshherë pa masat e duhura të sigurisë teknike, elektricistët rrezikojnë çdo ditë jetën në krye të detyrës. Vetëm gjatë këtij viti, në Shqipëri kanë humbur jetën disa punonjës të këtij sektori. Mes tyre është edhe Bashkim Boçi, 54 vjeç, i cili ndërroi jetë në detyrë në korrik të vitit 2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, gjatë një stuhie, teksa ishte me shërbim në zonën e Himarës.

“Më 22 korrik 2026, vëllai ishte me shërbim në zonën e Himarës, ku e kishte dërguar OSHEE-ja. Atje humbi jetën në moshën 54-vjeçare, në krye të detyrës. Ka qenë rreth orës 03:00 të natës, në një mot shumë të keq, me reshje të dendura dhe bubullima. Nuk i di kushtet e punës që ka pasur. Fillimisht e pati të vështirë, por u ambientua dhe ia kishte marrë dorën. E vazhdoi këtë punë për shumë vite, dhe ky ishte viti i tij i fundit”, rrëfen vëllai i të ndjerit, Rexhep Boçi.

Për familjen, tragjedia ishte e rëndë, veçanërisht në një moment kur Bashkimi priste me padurim të bëhej gjysh.

“Ky ka qenë një tjetër moment tepër i vështirë. U detyrova t’i përballoja të gjitha këto. Vajza e tij ishte në muajin e tetë të shtatzënisë dhe rrezikoi seriozisht të humbiste fëmijën. Për fat të mirë ajo shpëtoi dhe sot kemi në jetë nipin e vogël. Takimi i fundit me vëllain ka qenë më datë 12 korrik”, vijon Rexhep Boçi.

Elektricisti nga Elbasani ishte dërguar me shërbim në Himarë gjatë sezonit veror, në një periudhë kur kërkohej gatishmëri e shtuar në zonat turistike. Për 26 vite me radhë ai punoi me përkushtim, por sot e kujton vetëm familja, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbetur pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë të ardhur.

Të Ngjashme