Profesori Enver Bytyçi ka reaguar ashpër ndaj një shkrimi të publikuar në gazetën “Nacionale”, i cili trajton çështjen e përgjegjësisë për përhapjen e komunizmit në Shqipëri dhe rolin e figurave historike shqiptare e kosovare në atë periudhë.
Në reagimin e tij në redaksinë e “Bota sot”, Bytyçi kundërshton interpretimet e paraqitura në artikull, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të pasakta historikisht, veçanërisht në lidhje me rolin e Ali Kelmendit dhe Ramadan Çitakut krahasuar me drejtuesit kryesorë të regjimit komunist në Shqipëri.
Ai shpreh gjithashtu kritika të forta ndaj qasjes së medias në fjalë, duke e akuzuar për shtrembërim të historisë dhe përdorim të narrativave që, sipas tij, mund të kenë prapavijë politike dhe ndarëse në diskursin publik shqiptar.
Shkrimi i plotë
Sipas gazetës kosovare “Nacionale” përgjegjës për eksportimin e komunizmit në Shqipëri e kanë pejani Ali Kelmendi dhe mitrovicasi Ramadan Çitaku! Joooo! Sipas kësaj gazete nuk janë Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu e të tjerë përgjegjës për të gjitha pasojat e regjimit dhe ideologjisë komuniste në Shqipëri. Na qenka Ali Kelmendi, i cili ndërroi jetë që në periudhën e parë të përhapjes së komunizmit. Të paktën kështu thotë kjo gazetë përçarëse dhe e pacipë, e cila flet me gojën e kolonjarit Sejfi Vllamasi, i cili e ka pranuar vetë në librin e tij me kujtime se në Vjenë financohej prej ambasadës jugosllave.
Gazeta merr në mbrojtje faktin se Vllamasi fshehurazi kishte shkuar për marrëveshje me Beogradin dhe sulmon kosovarët me Hasan Prishtinën se e kanë kundërshtuar këtë akt. “Nacionale” e Kosovës me këtë shkrim më ngjau si “Nacionale serbe”, por jo edhe shqiptare. Madje më ngjan se kjo gazetë qëllimisht sulmon “kosovarët” e viteve 1920, me qëllim që të justifikojë qëndrimet dhe veprimet proserbe dhe anti-Kosovë të Edi Ramës në këto 13 vite! Maskarallëku nuk paska asnjë kufi! Ndaj dhe një këshillë doja t’u jepja: – Shkoni në Beograd ose në Athinë dhe regjistrojeni këtë gazetë, sepse emri “Nacionale” me këtë përmbajtje ju shkon më mirë në kryeqytetin serb ose grek!
