Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Fetoshi: Shqiptarët e Luginës të mobilizohen që të dalin masivisht në zgjedhje

 
   

Profesori universitar, Arben Fetoshi, e konsideron të rëndësishme që shqiptarët në Luginën e Preshevës të jenë të unifikuar dhe të mobilizohen që të marrin pjesë masivisht në procesin e zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë një përfaqësim sa më të madh të mundshëm në Parlamentin e Serbisë.

Ai në një intervistë për kp konsideron se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi rikonfirmon se politika serbe ka mbetur peng i së kaluarës, pasi pozita dhe opozita serbe kanë keqpërdorur sërish Kosovën për të nxitur mobilizimin e elektorateve me qëllim të përfitimit të sa më shumë votave.

Fetoshi thotë se mënyra e të bërit fushatë elektorale, dëshmon faktin se Serbia vazhdon me lojërat e vjetra, duke mos vepruar asgjë në kuadër të marrëdhënieve fqinjësore.

Fetoshi: Politika serbe mbetet peng i së kaluarës

“Krejt fushata zgjedhore për zgjedhjet e nesërme në Serbi, mendoj që e rikonfirmon faktin që politika serbe ka mbetur peng i së kaluarës dhe është dëshpëruese që të konstatojmë edhe një herë që tema e Kosovës që nënkupton nxitjen e sentimenteve nacionaliste te publiku serb me qëllim të përfitimit të sa më shumë votave ka ardhur në shprehje edhe në këto zgjedhje. Dhe ajo çka është indikative është që tashmë kemi të bëjmë me një narracion, i cili nuk e ka të rëndësishme temën e integrimeve evropiane të Serbisë, por edhe pozita edhe opozita e atjeshme e kanë përdorur dhe keqpërdorur sërish Kosovën për të nxitur mobilizimin e elektorateve të veta me qëllim të përfitimit të sa më shumë votave. Kjo natyrisht që është lajm i keq, jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë rajonin për shkak se edhe një herë dëshmon që Serbia vazhdon me lojërat e vjetra, vazhdon me politikën e vjetër dhe nuk bën kthesën e domosdoshme për të shikuar përpara në marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore dhe në perspektivën paqësore të popujve të rajonit”, tha Fetoshi.

Fetoshi derisa potencon se faktori politik shqiptar në Serbi në të kaluarën ka qenë i ndarë, për çka thotë se kjo i ka kushtuar me përfaqësim minimal në parlamentin e Serbisë, u bëri thirrje shqiptarëve për mobilizim për t’iu përgjigjur procesit zgjedhor.

Profesori universitar shton se përgjigjja e sa më shumë votuesve shqiptarë në zgjedhjet e nesërme, do të ndikojë në përfaqësimin siç e quan ai sa më të madh të mundshëm në Parlamentin e Serbisë.

Fetoshi: Shqiptarët e Luginës duhet të dalin masivisht në zgjedhje

“Për fat të keq, faktori politik shqiptar në Serbi në të kaluarën ka qenë i ndarë dhe kjo i ka kushtuar me përfaqësim minimal në Parlamentin e Serbisë, e natyrisht që një përfaqësim sa më i madh i shqiptarëve do të ishte me rëndësi në kuptim të zërit politik të shqiptarëve në institucionin më të rëndësishëm të Serbisë. Shpresoj që shqiptarët ta kuptojnë pavarësisht që edhe një herë nuk kemi të bëjmë me një front të bashkuar politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qytetarët shqiptarë nga ky rajon të mobilizohen t’i përgjigjen masivisht këtij procesi zgjedhor me qëllim që shqiptarët të arrijnë të kenë një përfaqësim sa më të madh të mundshëm në Parlamentin e Serbisë”, tha Fetoshi.

Fetoshi e përmend të rëndësishëm faktin se shqiptarët në Luginë të Preshevës të jenë të unifikuar. Ndërkaq, pavarësisht dëshirës për përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë, Fetoshi e konsideron pothuajse të pamundur, për shkak se siç thotë ai “nuk kemi një front politik të unifikuar të shqiptarëve, që do të garantojë përfaqësim sa më të madh”.

Fetoshi: Do të doja që të shohim së paku tre deputetë shqiptarë

“Natyrisht, do të ishte mirë që të kemi më shumë deputetë pavarësisht sa kemi deputet në Parlamentin e Serbisë. Mendoj që suksesi i përfaqësimit të të drejtave dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është vetëm çështje e faktorit politik shqiptarë atje, por është çështje e detyrimeve në radhë të parë edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Mirëpo, fillimisht mendoj që është shumë rëndësishme që shqiptarët në Luginë të Preshevës të jenë të unifikuar dhe duke marrë pjesë masivisht në procesin e zgjedhjeve të sigurojnë një përfaqësim sa më të madh të mundshëm. Do të doja që të shohim së paku edhe tre deputetë edhe pse më duket relativist e pamundur, duke pasur parasysh faktin që nuk kemi një front të unifikuar politik të shqiptarëve, i cili do të garantonte një përfaqësim më të madh sepse, do ta mobilizonte më shumë votën e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës”, tha Fetoshi.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi do të marrin pjesë dy lista të shqiptarëve “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, e cila udhëhiqet nga Shqipërim Arifi.