Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka reaguar pas deklaratës së Ivica Daçiqit se flamuri serb “herët a vonë” do të valëvitet mbi Prizren.
Gecaj ka vlerësuar se deklarata të tilla nuk duhen trajtuar vetëm si retorikë elektorale, por kërkojnë vigjilencë dhe reagim të matur nga institucionet e Kosovës.
Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për një konsensus kombëtar për çështjet me rëndësi shtetërore, duke kërkuar që sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial të qëndrojnë mbi interesat partiake.
“Partitë vijnë e shkojnë, qeveritë ndërrohen, liderët kalojnë, por Kosova duhet të mbetet mbi të gjithë ne!”, ka shkruar Gecaj.
Postimi i plotë:
VALËVITJA E FLAMURIT SERB NË PRIZREN…
… dhe dëshira e shprehur e Ivica Daçiqit që kjo të ndodhë “shpejt”, mund të jenë pjesë e retorikës së zakonshme elektorale serbe, por do të ishte gabim serioz po t’i trajtonim vetëm si të tilla. Historia na ka mësuar se ambiciet territoriale të Serbisë shpesh kanë filluar si deklarata politike, janë ushqyer nga propaganda nacionaliste dhe, në rrethana të caktuara, janë shndërruar në politika shtetërore me pasoja tragjike për popujt e Ballkanit. Prandaj, deklarata të tilla kërkojnë vëmendje, vigjilencë dhe reagim të matur, por të vendosur. Ivica Daçiqi dhe shumë përfaqësues të tjerë të politikës së vjetër të Beogradit vazhdojnë të jenë peng i trashëgimisë politike të Slobodan Millosheviqit. Ata ende nuk janë pajtuar me realitetin historik dhe politik se Kosova ka dalë përgjithmonë nga sundimi i Serbisë. Duket se do të mbeten, siç thotë populli, “me sy çelë”, nga dëshira e parealizuar për ta rikthyer Kosovën nën tutelën e tyre. Por historia nuk kthehet prapa vetëm pse dikush refuzon ta pranojë atë.
Unë kam qenë dhe mbetem i bindur, ashtu siç kam qenë para, gjatë dhe pas intervenimit të NATO-s, bindje të cilën edhe e kam artikuluar vazhdimisht edhe në takimet e mia me përfaqësues ndërkombëtarë, se Serbia ka nevojë për një proces të thellë denacifikimi politik, në kuptimin e ballafaqimit me të kaluarën, çrrënjosjes së ideologjisë së ekspansionizmit dhe shkëputjes përfundimtare nga trashëgimia e Millosheviqit. Pa një transformim të tillë demokratik e institucional, pa pranimin e përgjegjësisë historike dhe pa respektimin e sovranitetit të fqinjëve, paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan do të vazhdojnë të mbeten të brishtë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë më në fund se politika e tolerimit dhe e përkëdheljes së nacionalizmit serb nuk mund ta zëvendësojë kërkesën për ndryshim të mirëfilltë.
Por, miq, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë. Ka të bëjë edhe me ne! Ne kemi një detyrim historik, moral dhe shtetëror ta dëshmojmë të kundërtën e propagandës së Millosheviqit dhe klikës së tij, të cilët gjatë viteve të nëntëdhjeta pretendonin se shqiptarët, edhe po ta fitonin shtetin, nuk do të dinin ta udhëhiqnin atë. Përgjigjja jonë më e fuqishme ndaj kësaj propagande nuk është vetëm fjala, por ndërtimi i një shteti demokratik, funksional, të drejtë, të sigurt dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Kjo kërkon diçka që sot po na mungon gjithnjë e më shumë: KONSENSUS KOMBËTAR PËR ÇËSHTJET E INTERESIT VITAL TË SHTETIT!
Mund të kemi dallime politike, ideologjike e partiake. Mund të kundërshtohemi ashpër për qeverisjen, ekonominë, drejtësinë apo politikat publike. Kjo është demokracia. Por kur bëhet fjalë për sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë kombëtare, orientimin euroatlantik dhe aleancat tona strategjike, ne duhet të dimë ku përfundon gara partiake dhe ku fillon përgjegjësia ndaj Republikës. Kosova nuk është pronë e asnjë qeverie, e asnjë partie dhe e asnjë lideri politik. Kosova është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve! Prandaj, çështjet e interesit kombëtar nuk duhet të shndërrohen në instrumente të fushatave zgjedhore, as në mjete për përfitime të përkohshme politike. Konsensusi për këto çështje duhet të ndërtohet para zgjedhjeve, të ruhet gjatë tyre dhe të zbatohet pas përfundimit të tyre. Kushdo që sakrifikon interesin shtetëror për interesin partiak duhet të përballet me gjykimin demokratik të qytetarëve. Serbia nuk duhet të na gjejë kurrë të përçarë kur bëhet fjalë për Kosovën! Nuk kërkohet të mendojmë njësoj për gjithçka, por kërkohet të qëndrojmë së bashku për atë që na bashkon: lirinë, pavarësinë, demokracinë, sovranitetin dhe të ardhmen e Republikës sonë. Sepse shtetin nuk mjafton ta fitosh. Duhet të dish ta ruash, ta ndërtosh dhe t’ua lësh gjeneratave që vijnë më të fortë sesa e ke trashëguar.
PARTITË VIJNË E SHKOJNË, QEVERITË NDËRROHEN, LIDERËT KALOJNË, POR KOSOVA DUHET TË MBETET MBI TË GJITHË NE!
