Lajme

Fluks i lartë në Morinë, mijëra qytetarë nisen drejt bregdetit shqiptar

Fluksi i lëvizjeve në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë është rritur ndjeshëm këtë fundjavë, teksa mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar ditët e pushimit.

Të dhënat e Policisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës tregojnë se vetëm gjatë orëve të para të së shtunës kanë hyrë në Shqipëri 10,874 shtetas të Kosovës me 3,712 automjete.

Pika kufitare e Morinës ka përballuar pjesën më të madhe të këtij fluksi, duke mbetur hyrja kryesore për pushuesit që udhëtojnë drejt destinacioneve bregdetare shqiptare, si Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora dhe zonat turistike të jugut.

Për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata, autoritetet kufitare kanë vënë në zbatim procedura të përshpejtuara për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, duke mundësuar një kalim më të shpejtë të udhëtarëve.

Numri i lartë i hyrjeve konfirmon edhe një herë interesin e madh të qytetarëve të Kosovës për të kaluar pushimet verore në Shqipëri, e cila vijon të mbetet destinacioni i tyre më i preferuar turistik. 

Të Ngjashme