Ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar një stërvitje mbrojtëse në bazën Camp Bondsteel, me qëllim të testimit të operacioneve të koordinuara të mbrojtjes, forcimit të procedurave të sigurisë dhe rritjes së kapaciteteve të reagimit emergjent.
Sipas njoftimit të KFOR-it, në stërvitje morën pjesë pjesëtarë të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Turqisë, të cilët testuan aftësinë e misionit për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të mundshme, për të koordinuar veprimet mbrojtëse dhe për të ruajtur gatishmërinë operacionale në mbështetje të stabilitetit rajonal.
KFOR-i theksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Misioni i NATO-s në Kosovë gjithashtu bëri të ditur se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë.
