Lajme

Gërvalla: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës është obligim njerëzor

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka pritur Dr. Monika Hauser, themeluese dhe kryetare e organizatës Medica Mondiale.

Gërvalla ka çmuar kontributin e organizatës Mondiale si një nga zërat më të fuqishëm në botë në mbrojtje të grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale si armë lufte.

“Me të dhe znj. Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, folëm për nevojën e luftimit të stigmës dhe ri-traumatizimit të të mbijetuarve, për rëndësinë e një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë dhe për forcimin e mekanizmave institucionalë në mbështetje të tyre”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

Gërvalla më tej ka shkruar se drejtësia tranzicionale nuk mund të jetë e plotë pa adresimin e traumës, pa njohjen e dinjitetit të të mbijetuarve, pa krijimin e hapësirave të sigurta për dëshmitë e tyre, dhe pa denimin e autorëve të krimeve.

“Puna dhe përkushtimi jetësor i Dr. Monika Hauser është dëshmi e përjetshme se dinjiteti i të mbijetuarve, e vërteta dhe drejtësia nuk janë vetëm çështje politike apo juridike, por para së gjithash obligime njerëzore dhe morale”, ka shtuar ajo.

Të Ngjashme