Shqipëria shënon sot 82-vjetorin e Çlirimit, një prej datave më të rëndësishme historike të vendit, në kujtim të përfundimit të pushtimit nazifashist.
Gjatë paradites pritet të mbahet ceremonia përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku përfaqësuesit më të lartë të shtetit do të vendosin kurora me lule pranë memorialit “Nëna Shqipëri”, në nderim të të rënëve gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare.
Me rastin e kësaj dite, kryeministri Edi Rama ka përcjellë urimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi të memorialit “Nëna Shqipëri”.
Megjithatë, 29 Nëntori vazhdon të jetë datë që shënohet ndryshe nga dy krahët e politikës shqiptare. E majta e përkujton Çlirimin më 29 Nëntor, ndërsa e djathta i përkujton Pavarësinë dhe Çlirimin më 28 Nëntor.
Historikisht, Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazist gjerman më 29 nëntor 1944, pas pesë vitesh pushtim, që kishte nisur me agresionin e Italisë fashiste më 7 prill 1939.
Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, vendi u pushtua nga forcat gjermane. Në nëntor të vitit 1944, luftimet për çlirimin përfundimtar arritën kulmin. Tirana ishte çliruar më 17 nëntor, ndërsa Shkodra dhe zonat veriore më 29 nëntor, duke shënuar përfundimin e pushtimit gjerman në Shqipëri.
