Lajme

Gjini: Të martën e kemi mbledhjen e rregullt të kryesisë

Thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e konsideron një tjetër shkelje kushtetuese.

Gjini në një konferencë të jashtëzakonshme, tha se përveç talljes me shtetin e qytetarët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po tallet edhe me 120 deputetë të Kuvendit, duke iu humbur mandatin, për të cilën, siç tha ai, është vepër penale.

Gjini tha se Kurti ka caktuar vetes 30 ditë shtesë, të cilat, edhe pse janë shkelëse, edhe këto po i shkel.

Gjini për LVV-në: Këta njerëz do të mbahen mend si superkriminelë në historinë e Kosovës

“Ajo që e kemi parë sot, thirrja e seancës në datën 9 shtator, është edhe një shkelje brutale e normës edhe e bindjes kushtetuese, po e vetë Kushtetutës edhe më herët. Kjo është mënyrë me u tallë me shtetin, me u tallë me qytetarët. Është një mënyrë me abuzu skajshëm me gjithçka që shteti i ofron dikujt që i fiton zgjedhjet. Edhe është me qeverisë. Shumica dërrmuese prej nesh, për mos thënë të gjithë, e kemi ditur që edhe para 30 ditësh ka pasur shkelje të Kushtetutës. Mirëpo, kemi besu që duhet me e mbajtë një rrugë të qetë, që Kosova mos me dalë jashtë çdo vije kushtetuese, mos me u kthy në pikën zero kushtetuese. Ajo që ka ndodhur sot është që një person vetëm, që i ka caktu institucionet në mënyrë paligjshme, e i cili është toleruar nga të gjitha partitë politike, me ia caktu vetë vetes edhe 30 ditë, edhe këto 30 ditë që i ka caktu vetë, i ka shkelë. Kjo është anarki. Këta njerëz do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj në historinë e Kosovës”, tha Gjini.

Sipas Gjinit, Kurti dëshiron të caktojë vetë datën e zgjedhjeve, ku përmendi 22 nëntorin apo 27 dhjetorin.

Gjini: Kurti nuk ka lënë rrugë për zgjidhje normale edhe kushtetuese në Kosovë

“Sot Kurti nuk ka lënë rrugë për zgjidhje normale edhe kushtetuese në Kosovë. I ka mbyllur të gjitha rrugët për me bisedu për të ardhmen e vendit. Po dëshiron me e caktu vetë datën e zgjedhjeve përmes shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese… Më duhet me e përmend sot para jush që pamja që e kemi pa pardje në Këshillin Prokurorial të Kosovës është pamja të cilën, nëse ky njeri vazhdon me i caktu institucionet, ju edhe secili qytetar i Kosovës ka me e pa për çdo ditë. Ajo pamje shumë prej neve na kthen kujtesën e viteve më të errëta të totalitarizmit edhe të dhunës në emër të ligjit të njerëzve të cilët nuk janë kurrgjë më tepër se aparatçikët. Si edhe që e kemi parë në Këshillin Prokurorial para dy dite, me të vërtetë të rrënqethin ose e rrënqethin cilindo njeri që e mban mend totalitarizmin dhe diktaturën, edhe mos harroni, ato sjellje kanë me u përsëritë”, tha ai.

Se a do të marrin pjesë në këtë seancë, Gjini tha se më 8 shtator do të mbahet mbledhja e rregullt e Kryesisë dhe do të vendoset.

Gjini: Kjo është tallje me qytetarët, tallje me shtetin, tallje me 120 deputetë

“Të martën e kemi mbledhjen e rregullt të kryesisë. Nëse ka nevojë, do ta thërrasim më herët dhe do të marrim vendim se çfarë do të bëjmë më tutje. Kjo është tallje me qytetarët, tallje me shtetin, tallje me 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilëve ju ka djegë mandatin, dhe kjo është edhe vepër penale. Nuk ka të drejtë një njeri me ju djegë mandatin të zgjedhurve të popullit”, tha Gjini.

Ai tha se nuk ka qenë në kontakt me ish-partitë opozitare, por bëri të ditur se do të kontaktojë kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për takim.

Ndërkohë, për një takim me Kurtin, ai e përsëriti se i vetmi takim mes dy palëve do të ndodhte në një studio televizive.

Gjini:Do të takohem shumë shpejt me kryetarin e PDK-së

“Jo të drejtën, po ju tregoj, nuk kemi qenë në kontakt, të paktën tre ose katër javët e fundit, me asnjë prej liderëve të opozitës për këtë çështje. Unë do të takohem shumë shpejt me kryetarin e PDK-së, Hamzën. Po, besoj që do të takohem edhe me kryetarin e LDK-së, Abdixhikun, shumë shpejt. Do të provoj me organizu një takim. Nuk e kam plan me u taku me Kurtin. Jam i gatshëm me u taku me zotin Kurti me një studio televizive ku ka kamera live, me na dëgju secili qytetar i Kosovës çfarë po i themi njëri-tjetrit. Kam shumë çka me i thënë. I kam thënë: zgjedhje studion, televizionin, gazetarin, kohën, ditën, krejt zgjedhjen ku të duash, ama me e pa krejt qytetarët çfarë kemi me i thënë njëri-tjetrit”, tha Gjini.

Të Ngjashme