Lajme

Gjinovci “zbulon” të kaluarën profesionale të Janina Ymerit: Asnjë ditë në energjetikë

Analisti Rron Gjinovci ka kritikuar publikisht pretendimet për ekspertizën e deputetes së LDK-së, Janina Ymerit, në fushën e energjetikës.

Përmes një postimi, Gjinovci ka analizuar përvojën e saj profesionale, duke pretenduar se nga viti 2018 deri më sot ajo nuk ka pasur përvojë të deklaruar në sektorin e energjetikës, ndërsa ka punuar në fusha si shitja e mobilieve, financat, kontabiliteti, materialet ndërtimore dhe menaxhimi i projekteve.

“Nga viti 2018, fiks 7 vjet, ekspertja nuk e ka asnjë ditë pune të deklarume në fushën e energjetikës”, ka shkruar Gjinovci.

Postimi i Rronit:

Me nji kërkim krejt të thjeshtë, mundesh me pa që Janina dhe energjetika janë larg prej njona tjetrës siç jam unë nga të dya në të gjitha aspektet e mundshme. Në LinkedIn, në rrjetin social të profesionistëve, ku njerëzit krijojnë faqe sikur të Facebook-ut por ama me të dhanat për punën e tyne, mundeni me pa që vet e përfoluna i ka listu punët e veta prej prillit të vitit 2018 e deri më sot. Mes viteve 2018 e 2021 ka punu në nji kompani të qujtun Enza Home, sallon mobilesh. Qershor 2021 deri maj 2022 ka punu në D.A.A.C LLC në cilësinë e konsulentes për zhvillimin e biznesit, kompani që meeret me shërbime të financave, kontabilitetit dhe menaxhmentit. Mandej prej prillit 2022 deri në maj 2024 ka punu në Luri Inc si bashkëpunëtore e zhvillimit të biznesit, kompani që merret me materiale ndërtimore. Së fundi nga maji 2024 deri sot si menaxhere e projektit në “3fusha” që simbas të gjitha gjasave është nji biznes privat i saj ku po bashkëpunojka me vëllaun. Momentalisht faqja 3fusha që ajo e promovon në Facebook-un e saj dhe në LinkedIn nuk është e qasshme.

Pra, prej vitit 2018, fiks 7 vjet, ekspertja nuk e ka asnji ditë pune të deklarume në fushën e energjetikës. Për ma tepër s’ka asnji punë akademike a shkencore në këtë fushë po ashtu. Çka quhet ekspert i nji fushe në shekullin 21? Dikush që ka përvojë të gjatë ose hulumtim të suksesshëm akademik/shkencor (pra me impakt që matet përmes citimeve) në fushën në të cilën konsiderohet ekspert.

Të Ngjashme