Lajme

​Gjykata rihapë shqyrtimin gjyqësor për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

10.07.2026 – 15:00

​Gjykata rihapë shqyrtimin gjyqësor për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.

Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim me njëri tjetrin, me motiv hakmarrjen.

Aktakuza thekson se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkovin e saj.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit paraprakisht kishin vëzhguar zonën ku ndodhi ngjarja, duke zgjedhur një vend pa kamera sigurie dhe larg banesave. Prokuroria pretendon se ata i kishin zënë pritë autobusit që qarkullonte në linjën Gjakovë, Gllogjan, ndërsa gjatë sulmit mbetën të vrarë tre persona.

Organi i akuzës pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte shkuar në këmbë deri në vendin e ngjarjes. Me afrimin e autobusit, ai kishte dalë në mes të rrugës duke u shtirur si i dehur për ta detyruar shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi autobusi uli shpejtësinë, sipas aktakuzës, ai qëlloi në drejtim të shoferit Gani Gjokaj, duke e lënë të vdekur, ndërsa nga të shtënat humbën jetën edhe dy nxënës 17 vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe u plagos rëndë F.T.

Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Prokuroria pretendon se pas kthimit në shtëpi arma e përdorur në krim ishte shkatërruar.

Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.

10.07.2026 – 14:59

​Seanca për vrasjen në Gllogjan nën masa të rrepta sigurie

Pas gati pesë vitesh mbledhje provash, në Gjykatën Themelore të Pejës, pas pak nis seanca ku do të shpallet aktgjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Për këtë rast, në bankën e të akuzuarve ndodhen Halil Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Kastriot Mehmetaj, të cilët akuzohen në lidhje me vrasjen e trefishtë.

Më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person i armatosur qëlloi me armë zjarri drejt një autobusi që po bartte nxënës.

Nga ky sulm humbën jetën tre persona: shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, si dhe dy nxënësit, Ledion Kadrijaj (17 vjeç) dhe Dionis Lleshi (16 vjeç).

Gjatë sulmit, u plagosën edhe disa nxënës të tjerë.

Të Ngjashme