Lajme

Hamza mbyll “derën” për bashkëpunim me LVV-në, analistët zbulojnë dilemat e PDK-së

 

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë si parti opozitare në procesin e formimit të institucioneve të reja. Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryetarin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai deklaroi se PDK-ja do ta ushtrojë rolin e saj si opozitë konstruktive në Kuvendin e Kosovës.

“Ju e dini qëndrimin tim. Unë kam dalë me prioritete në ekonomi, energji, arsim dhe drejtësi. Për zbatimin e këtyre projekteve, PDK nuk ka vija të kuqe me askënd. Bazuar në bisedat që kemi zhvilluar, të cilat kanë qenë korrekte, PDK mbetet në opozitë. Ne i urojmë suksese zotit Kurti dhe partive të tjera”, deklaroi Hamza pas takimit të mbajtur më 10 korrik 2026.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike në dobi të qytetarëve të Kosovës. Për çdo çështje që është në interes të Kosovës, vota e PDK-së do të jetë pro, përfshirë edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare që i shërbejnë interesit të vendit”, ka thënë kryetari i PDK-së. 

Jakupi: PDK-ja, edhe në opozitë, mund të shndërrohet në faktor vendimtar në procesin e zgjedhjes së Presidentit, nëse votat e saj janë të nevojshme për arritjen e shumicës së kërkuar

Analisti Zejnullah Jakupi, në një përgjigje për “Bota sot” vlerëson se vendimi i PDK-së për të qëndruar në opozitë synon ruajtjen e identitetit politik dhe shmangien e një marrëveshjeje pa garanci të qarta. 

Sipas tij, kjo mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve, pasi PDK-ja mund të bëhet faktor kyç, veçanërisht në zgjedhjen e Presidentit, duke luajtur rol ose stabilizues ose bllokues.

Image
Zejnullah Jakupi

“Vendimi i PDK-së për të qëndruar në opozitë duhet të interpretohet si një qëndrim politik që synon të ruajë identitetin opozitar dhe të shmangë një përfshirje në një marrëveshje qeverisëse pa garanci të qarta për ndikimin e saj politik. Pas zgjedhjeve, PDK-ja duket se ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e një formule që do ta vendoste në një rol dytësor, por të mbajë përgjegjësinë e opozitës dhe të konsolidojë pozicionin e saj përballë elektoratit.

Ky vendim mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionalizimin e institucioneve, sidomos nëse shumica parlamentare nuk arrin të sigurojë vetë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e funksioneve kyçe. Në një sistem parlamentar si ai i Kosovës, dialogu ndërmjet pozitës dhe opozitës është i domosdoshëm për çështje që kërkojnë shumica të veçanta, veçanërisht zgjedhja e Presidentit të Republikës.

PDK-ja, edhe në opozitë, mund të shndërrohet në faktor vendimtar në procesin e zgjedhjes së Presidentit, nëse votat e saj janë të nevojshme për arritjen e shumicës së kërkuar. Në këtë rast, ajo do të ketë një peshë të rëndësishme negociuese. Megjithatë, kjo peshë mund të përdoret në dy drejtime: si faktor stabilizues përmes një marrëveshjeje institucionale, ose si faktor bllokues nëse palët nuk arrijnë kompromis”, tha ai.

Jakupi thotë se e ardhmja politike varet nga bashkëpunimi në Kuvend. Sipas tij, mund të ketë marrëveshje për funksionalizimin e institucioneve ose përplasje që mund të sjellin krizë të re dhe zgjedhje të mundshme. 

Ai shton, se roli i PDK-së do të jetë vendimtar në përcaktimin e stabilitetit politik dhe pozitës së saj afatgjatë.

“Skenarët e ardhshëm varen kryesisht nga raporti i forcave në Kuvend. Një skenar është arritja e një marrëveshjeje politike për funksionalizimin e institucioneve, ku partitë mund të ndajnë përgjegjësitë pa hyrë domosdoshmërisht në koalicione. Një skenar tjetër është vazhdimi i përplasjeve politike, që mund të çojë në vonesa institucionale dhe në një krizë të re politike. Në rast të dështimit për zgjedhjen e Presidentit sipas afateve kushtetuese, mund të hapet edhe mundësia e zgjedhjeve të reja.

Në këtë situatë, PDK-ja do të përballet me një dilemë strategjike: të mbajë një opozitarizëm të fortë duke kritikuar qeverinë, apo të marrë rolin e një partie shtetformuese që ndihmon në zgjidhjen e bllokadave institucionale. Zgjedhja e saj do të ndikojë jo vetëm në fatin e institucioneve të reja, por edhe në pozicionimin e saj afatgjatë në skenën politike të Kosovës” – përfundon ai.

Mehmeti: Sigurisht që PDK-ja, në këtë fazë, nuk mund të avancojë në bisedime me Vetëvendosjen, për shkak se krahu i Sami Lushtakut është kundër një koalicioni të tillë

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se PDK-ja mbetet e ndarë për një koalicion me Vetëvendosjen. 

Sipas tij, udhëheqësit si Bedri Hamza, Uran Ismaili dhe Vlora Çitaku janë në parim pro bashkëpunimit, ndërsa krahu i përfaqësuar nga Sami Lushtaku dhe Elmi Reçica e kundërshton një koalicion të tillë.

“Sigurisht që PDK-ja, në këtë fazë, nuk mund të avancojë në bisedime me Vetëvendosjen, për shkak se krahu i Sami Lushtakut është kundër një koalicioni të tillë. Brenda PDK-së ekzistojnë dy-tri rryma të ndryshme. Megjithatë, linja zyrtare, e përfaqësuar nga zoti Hamza, nënkryetari Uran Ismaili dhe Vlora Çitaku, në parim është pro një koalicioni me Vetëvendosjen.

Mirëpo, ekziston frika nga krahu tjetër, i cili është mjaft i fuqishëm dhe që përfaqësohet nga Sami Lushtaku, Elmi Reçica dhe disa të tjerë, të cilët janë kundër një bashkëpunimi tjetër me Vetëvendosjen”, thotë Mehmeti.

Mehmeti për “Bota sot” vlerëson se Bedri Hamza po përpiqet të mbajë të bashkuar PDK-në mes rrymave të ndryshme.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, një koalicion me Vetëvendosjen mund të thellojë përçarjet, ndërsa zhvillimet rreth Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit do të ndikojnë në balancat e brendshme të partisë.

“Prandaj, zoti Hamza është një menaxher i PDK-së, jo thjesht kryetar i saj. Ai po përpiqet të menaxhojë interesat dhe qëndrimet e ndryshme brenda partisë. Nëse zoti Thaçi dhe zoti Veseli do të lirohen nga Haga deri në momentin kur të merret epilogu përfundimtar i procesit të tyre, atëherë ata do të mund të ruajnë një ekuilibër brenda PDK-së. Këto grupacione nuk do të kenë shumë hapësirë për të ngritur krye.

Por, nëse ata dënohen, atëherë PDK-ja mund të përballet me përplasje të mëdha të brendshme. Në këtë rast, zoti Hamza nuk do të ketë të njëjtin ndikim dhe mund të hapet një konflikt i fortë për drejtimin e partisë.

Për këtë arsye, zoti Hamza po vepron si një menaxher i situatës dhe PDK-ja, në këtë fazë, është e detyruar të qëndrojë në opozitë. Avancimi i negociatave me Vetëvendosjen mund të rrezikojë ta përçajë partinë dhe të krijojë ndarje të brendshme.

Megjithatë, nëse krijohen rrethanat për një koalicion dhe sigurohen numrat e nevojshëm, PDK-ja mund të ndryshojë qëndrim. Përndryshe, ajo do të mbetet në këtë nivel, sepse aktualisht ngjan si një vullkan që mbahet nën kontroll, por që mund të shpërthejë në çdo moment për shkak të tri grupacioneve brenda saj, të cilat mund të hyjnë në përplasje të forta me njëra-tjetrën”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme