U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është çështje e besueshmërisë dhe sigurisë së Evropës, duke theksuar se Kosova ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe meriton të gjykohet me të njëjtat standarde si vendet e tjera.
Udhëheqësja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e fillimit të Presidencës së Irlandës të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se zgjerimi është çështje e besueshmërisë dhe sigurisë së Evropës.
Ajo tha se Kosova e ka përcaktuar qartë drejtimin e saj evropian, ka përmbushur përgjegjësitë e veta dhe meriton të gjykohet me të njëjtat standarde si vendet e tjera.
Sipas Haxhiut, Presidenca irlandeze mund të ndihmojë që zgjerimi të mbetet proces i besueshëm dhe që Kosova të mos mbetet peng i bllokadave politike që nuk varen nga përparimi i saj.
