Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka shprehur mirënjohje për punonjësit e mediave që, siç tha ajo, punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën publike. Haxhiu është u.d. presidente që nga 4 prilli 2026.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se, epoka e sotme karakterizohet nga ritmi i shpejtë i informimit, ku sfida për dallimin e faktit nga interpretimi është gjithnjë e më e madhe.
“Epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha. Roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, shkroi Haxhiu.
Ajo ka theksuar se hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, fakte, verifikim dhe përgjegjësi, vlera këto që, sipas saj, e forcojnë besimin dhe demokracinë.
“Hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi. Këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë tone”, shkruan ajo.
Në fund, Haxhiu ka falënderuar punonjësit e mediave që verifikojnë faktet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri, duke theksuar se gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe Republikën.
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.
