Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haxhiu: Nuk presim reflektim nga Serbia nëse s’ka presion nga ndërkombëtarët

 
   

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se Serbia nuk do t’i dorëzojë kriminelët e terroristët pa pasur presion nga ndërkombëtarët.

Haxhiu tha se për shkak që Serbia është shtet autokratik, drejtësia në Kosovë ka qenë e detyruar ta përfshijë gjykimin në mungesë sa i përket krimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën, pra nuk i dorëzon as kriminalet e luftës. Ne kemi qenë të detyruar ta përfshijmë gjykimin në mungesë sa i përket krimeve të luftës, që së fundmi ka nisur të zbatohet si i tillë. Nuk presim reflektim nga Serbia sidomos nëse nuk ka presion ndërkombëtarë, apo trysni ndërkombëtare që Serbia t’i dorëzojë terroristët që kanë kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim edhe zgjedhjet që ishin dje në Serbi tregojnë që është një shtet autokratik, që nuk kemi shpresa për sa kohë që janë të tillë”, tha ajo në konferencë për media.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deri tani ka ngritur gjashtë aktakuza për krime lufte me propozimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë dhe duke arsyetuar që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t’i gjetur të pandehurit.