Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetes dhe veprimtares Flora Brovina.
Haxhiu e ka vlerësuar Brovinën si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, e cila u përball edhe me burgosjen nga regjimi serb gjatë vitit 1999.
Ajo ka theksuar se Brovina ishte veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë, ndërsa ka lënë gjurmë edhe në letërsinë shqipe.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka shkruar Haxhiu.
Postimi i plotë:
Kosova sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet.
Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq.
Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës.
Flora Brovina ishte zë i veçantë edhe në letërsinë shqipe. Në vargjet që shkroi, gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara. Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda.
Pas luftës vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të vendit. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën
