Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pritur në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, si dhe koordinatoren kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, Donika Gërvalla-Schwarz.
Gjatë takimit, sipas Haxhiut, është theksuar nevoja për reagim më të shpejtë institucional dhe për një koordinim më efikas mes të gjitha hallkave përgjegjëse, në mënyrë që çdo rast dhune të trajtohet me seriozitetin dhe vëmendjen e duhur.
Po ashtu, është diskutuar rëndësia e parandalimit të dhunës përmes edukimit, rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke përfshirë Policinë, sistemin e drejtësisë dhe shërbimet sociale.
Postim i plotë:
Sot mirëprita në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, njëkohësisht koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Theksuam nevojën për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim më të mirë ndërmjet të gjitha hallkave përgjegjëse, në mënyrë që çdo rast dhune të trajtohet me seriozitetin dhe kujdesin e duhur.
Diskutuam gjithashtu domosdoshmërinë e parandalimit të dhunës përmes edukimit, rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë policinë, sistemin e drejtësisë dhe shërbimet sociale.
Lufta kundër dhunës me bazë gjinore kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të saj, si dhe krijimin e një mjedisi ku gratë dhe vajzat ndihen të sigurta e të mbrojtura në çdo hap të jetës.
