Lajme

Haxhiu: Xhavit Haziri ia kushtoi jetën lirisë së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar dhe nderuar sot Heroin e Kosovës, veprimtarin Xhavit Haziri, i cili 28 vjet më parë u rrëmbye në Prishtinë nga shërbimi famëkeq i sigurisë së Serbisë.

Kryetarja Haxhiu tha se Xhavit Haziri ia kushtoi jetën lirisë së Kosovës.

Pas demonstratave të vitit 1981, shtoi ajo, Xhavit Haziri u angazhua në bashkimin e organizatave ilegale, vuajti katër vjet burg dhe pas lirimit vazhdoi veprimtarinë në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe më vonë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Më 17 shtator 1998 doli nga shtëpia për të shkuar në punë, në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit serb e futën me forcë në veturën e tyre dhe që atëherë për fatin e tij nuk dihet asgjë. Ai që ishte pjesë e organizatës që dokumentonte krimet e regjimit serb u bë vetë shënjestër e tij. Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa familja e tij dhe e gjithë Kosova ta dinë të vërtetën. Nderim i përhershëm për Heroin e Kosovës, Xhavit Hazirin”, ka theksuar kryeparlamentarja Haxhiu.

Të Ngjashme