Një histori heroizmi është shfaqur mes katastrofës që goditi Nepalin, ku një mësues arriti të evakuonte 1,643 nxënës pak para se një përmbytje e fuqishme të përfshinte zonën dhe të shkatërronte shkollën.
Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme “Tribhuvan Trishuli”, në luginën e Trishulit. Rreth orës 09:20 të mëngjesit, mësimi po zhvillohej normalisht. Në kompleksin trekatësh ndodheshin rreth 900 nxënës, ndërsa qindra të tjerë po mbërrinin në këmbë ose me autobusë.
Situata ndryshoi brenda pak minutash, pasi drejtori i shkollës mori një telefonatë nga një person që ndodhej në Betrawati, rreth tetë kilometra më lart në luginë.
“Fshati është marrë nga lumi. Duhet të largoheni”, ishte paralajmërimi.
Mësuesi i gjuhës angleze, 47-vjeçari Rajendra Dawadi, fillimisht u përpoq të vlerësonte situatën. Ndërtesa e shkollës ishte një konstruksion i fortë prej betoni, i ndërtuar rreth 60 metra mbi nivelin e lumit.
Pak më vonë, një prind mbërriti në shkollë me një tjetër paralajmërim: niveli i ujit po rritej me shpejtësi.
Dawadi ra menjëherë zilen e shkollës, këtë herë jo për të nisur mësimin, por për të dhënë sinjalin e evakuimit.
Mësuesit nisën të nxirrnin nxënësit nga klasat dhe t’i drejtonin drejt zonave më të larta. Në të njëjtën kohë, Dawadi u përpoq të kontaktonte drejtuesit e autobusëve të shkollës, të cilët transportonin rreth 80 fëmijë secili.
Ai arriti të komunikonte me të gjithë, përveç një shoferi. Urdhri ishte i qartë: autobusët duhej të ktheheshin menjëherë.
Në atë moment, Dawadi pa autobusin që nuk kishte mundur të kontaktonte duke kaluar mbi një urë. Ujërat kishin arritur tashmë në territorin e shkollës. Mësuesi i bëri shenjë shoferit të kthehej dhe autobusi arriti të kalonte në anën tjetër.
Vetëm pak çaste më vonë, ura u shemb.
Ndërsa nxënësit nisën të kuptonin përmasat e rrezikut, paniku u përhap në mesin e tyre. Një nxënëse pësoi krizë paniku dhe u transportua me motor drejt një zone më të lartë.
Nxënësit e tjerë u larguan në këmbë, ndërsa Dawadi qëndroi pas tyre për t’u siguruar që askush të mos mbetej pas.
Në fund, të gjithë u mblodhën në një zonë më të sigurt, pranë një peme bodhi. Pak më poshtë, ujërat e furishme po shkatërronin ndërtesën e shkollës dhe po ndryshonin brenda pak minutash peizazhin përreth.
Të 1,643 nxënësit arritën të shpëtonin.
Megjithatë, tragjedia mori edhe jetë njerëzish. Mësuesi 32-vjeçar i historisë sociale, Santos Pariyar, u mor nga ujërat pasi u kthye në dhomën që kishte marrë me qira pranë lumit. Viktimë raportohet të ketë mbetur edhe punonjësi i mirëmbajtjes së shkollës, Sultan Lama, i cili ishte kthyer për të mbyllur dyert.
Kur banorët e cilësuan Dawadin si hero, ai e minimizoi veprimin e tij.
“Çfarë tjetër mund të bëja?”, u përgjigj ai.
Si ndodhi katastrofa?
Pas historisë së shpëtimit qëndron një fatkeqësi natyrore me përmasa të jashtëzakonshme.
Sipas analizave shkencore të deritanishme, një masë e madhe akulli dhe shkëmbinjsh u shkëput nga zona e Langtang Lirung, në Himalaje, pranë kufirit mes Nepalit dhe Tibetit. Masa u rrëzua rreth 1,200 metra në kanionin e thellë të lumit Lhende Khola.
Shembja u shndërrua në një rrjedhë gjigante uji, balte, akulli, shkëmbinjsh dhe mbetjesh, e cila lëvizi me shpejtësi drejt zonave më të ulëta.
Imazhet satelitore të analizuara pas katastrofës sugjerojnë se nuk u shemb vetëm akulli, por edhe një pjesë e bazamentit shkëmbor nën akullnajë.
Përmbytja shkaktoi dëme të mëdha në vendbanime, ura, rrugë dhe infrastrukturën energjetike, ndërsa ndryshoi edhe shtratin e lumenjve në një distancë prej dhjetëra kilometrash.
Fatkeqësia preku zona në të dyja anët e kufirit mes Nepalit dhe Tibetit, duke lënë pas viktima dhe një numër të madh personash të zhdukur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Ndryshimet klimatike, një tjetër shqetësim
Shkencëtarët janë të kujdesshëm për ta lidhur një ngjarje të vetme gjeologjike drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Megjithatë, rritja e temperaturave në Himalaje po krijon kushte gjithnjë e më të paqëndrueshme.
Shkrirja e akullnajave dhe e tokës së ngrirë përgjithmonë mund të destabilizojë shpatet malore, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, shembjeve të akullnajave dhe përmbytjeve të papritura.
Në rajonin më të gjerë Hindu Kush–Himalaje, ritmi i humbjes së akullnajave është përshpejtuar ndjeshëm që nga fillimi i këtij shekulli.
Kështu, katastrofa në luginën e Trishulit nuk përfaqëson vetëm një tragjedi lokale. Ajo rikthen në vëmendje rreziqet me të cilat përballen komunitetet që jetojnë pranë akullnajave dhe lumenjve malorë, në një rajon ku ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në stabilitetin e ekosistemeve dhe terrenit.
