Aktuale

Makina me tre të rinj përfundoi në greminë, zbardhen emrat e viktimës dhe të plagosurve

Një aksident i rëndë rrugor me një viktimë dhe dy të plagosur është regjistruar ditën e sotme në aksin Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh të Mirditës.

Në automjet udhëtonin tre të rinj, të cilët po ktheheshin nga Lura. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit, 20 vjeç, ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke dalë nga rruga dhe duke përfunduar në greminë.

Si pasojë e aksidentit, pasagjeri 20-vjeçar, Claudio Ndoj, ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, Arli Kacorri, 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, një 15-vjeçar, kanë mbetur të plagosur rëndë.

Për nxjerrjen e personave nga automjeti, i cili kishte përfunduar në greminë, është dashur ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse. Dy të plagosurit janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

Njoftimi i Policisë

Policia konfirmoi paraprakisht se automjeti drejtohej nga një 20-vjeçar dhe se pasagjeri tjetër, gjithashtu rreth 20 vjeç, ka humbur jetën.

“Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga.

Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme