Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me UNODC-në, UNDP-në dhe Institutin e Bazelit, ka organizuar të enjten në Prishtinë ditën e parë të punëtorisë dyditore me temë “Shkëmbimi i përvojave ndërmjet kolegëve mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Aseteve”.
Punëtoria, e cila po mbahet më 3 dhe 4 shtator, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar në fushën e hetimeve financiare, identifikimit, sekuestrimit, konfiskimit dhe rikthimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Në hapje të punimeve morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere, përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Përfaqësuesin Rajonal të UNODC-së për Evropën Juglindore, Danilo Rizzi.
Në ditën e parë të punëtorisë morën pjesë edhe Udhëheqësi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore.
Gjatë sesioneve të punëtorisë u trajtuan hetimet financiare në rastet e korrupsionit, rastet e korrupsionit në sektorin publik, si dhe ndjekja penale e pastrimit të parave si vepër penale më vete.
Në kuadër të diskutimeve u prezantuan raste konkrete dhe praktika ndërkombëtare që lidhen me fondet publike, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe ndërmarrjet publike. Përvojat e tyre i ndanë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.
Në sesionet e punëtorisë morën pjesë edhe përfaqësues nga SPAK-u i Shqipërisë, Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Zyra e Prokurorisë Kantonale të Kantonit të Sarajevës.
Punimet e ditës së parë përfunduan me diskutime dhe pyetje e përgjigje të bazuara në raste konkrete, ku pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja profesionale dhe diskutuan sfidat praktike në hetimet financiare, rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas organizatorëve, punëtoria synon të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e praktikave të mira dhe forcimin e bashkëpunimit vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim rritjen e efikasitetit në hetimet financiare, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.
