Një shpërthim i fortë ka alarmuar autoritetet greke dhe banorët në zonën e Oinofyta-s. Mësohet se përmes një shpërthimi është realizuar vjedhja e një bankomati teksa raportohet se brenda ka patur 100 mijë euro.
Sipas informacioneve nga mediat greke, zhurma u dëgjua afërsisht në orën 04:00 të mëngjesit të së shtunës, duke shkaktuar shqetësime për banorët e zonës. Autorët e panjohur raportohet se e kanë hedhur në erë bankomatin dhe më pas kanë vjedhur të paktën një arkë parash.
Gjatë arratisjes së tyre, autorët lanë pas qindra kartëmonedha të djegura, me një vlerë totale prej afërsisht 2,500 eurosh.
Pas shpërthimit, autorët u zhdukën nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte policia, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të gjitha mundësitë në lidhje me metodën e veprimit të tyre dhe mjetin e arratisjes që përdorën.
Policia po mbledh pamje nga kamerat e sigurisë dhe dëshmi nga banorët, me qëllim përcaktimin e numrit të autorëve dhe lëvizjeve të tyre pas shpërthimit.
