Lajme

Hoxha ‘godet’ ashpër Osmanin – ngre pikëpyetje për heshtjen dhe deklaratat e saj

Ish Komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, përmes një postimi në Facebook ka shprehur zhgënjim ndaj Vjosa Osmanit, duke thënë se sjelljet e saj politike nuk i lënë më hapësirë për ta mbështetur.

Ai kujtoi se dikur e kishte përkrahur publikisht për presidente, por sipas tij, ndryshimet e vazhdueshme politike, largimi nga bashkëpunëtorët dhe deklaratat e fundit ndaj Albin Kurtit kanë ngritur shumë pikëpyetje, përcjell “Bota sot”.

Hoxha kritikoi edhe përdorimin e pozitës së presidentes për qëllime elektorale dhe tha se heshtja për çështje të rëndësishme deri në kohë fushate dëmton besueshmërinë politike.

Sipas tij, lidershipi kërkon qëndrueshmëri, parime dhe seriozitet institucional.

Postimi i plotë

Me këto sjellje nuk më lenë më hapsirë të mbështes zonjën Osmani në karrierën e saj politike !

Unë personalisht e kam mbështetur publikisht zonjën Vjosa Osmani për presidente, në kohën kur Qeveria Kurti kishte detyrën për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Në atë periudhë kam menduar se zonja Osmani ishte personi i duhur për atë detyrë dhe kam dhënë edhe arsyet e mbështetjes sime. Njëra ndër to ishte shmangia e shpenzimeve të panevojshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat për fat të keq po ndodhin sot.

Nga ajo kohë e deri më tani, sjelljet politike të zonjës Osmani më kanë zhgënjyer. Ajo u largua nga subjekti politik ku ishte formuar dhe mbështetur, duke lënë pas bashkëpunëtorët e saj pa një orientim të qartë politik dhe duke krijuar paqartësi edhe brenda vetë subjektit Guxo. Më pas u afrua me LDK-në, gjë që solli pakënaqësi dhe ndarje mendimesh edhe brenda asaj partie.

Sot, gjatë aktiviteteve të saj politike, po krijohet përshtypja se funksioni i presidentes po përdoret edhe për qëllime propagandistike e elektorale. Për më tepër, deklaratat e saj të fundit ndaj ish-bashkëpunëtorëve politikë dhe ndaj kryeministrit Albin Kurti lënë shumë pikëpyetje. Nëse ka pasur shqetësime apo dyshime për procese të rëndësishme shtetërore gjatë mandatit të saj, atëherë lind pyetja pse ka heshtur deri tani dhe pse këto çështje po bëhen publike vetëm në kohë fushate.

Një lidership i qëndrueshëm kërkon parime, konsistencë politike dhe besnikëri ndaj bashkëpunëtorëve e qytetarëve që të kanë mbështetur. Ndryshimet e shpeshta të pozicioneve politike, afrimet e largimet sipas interesit të momentit dhe retorika e ulët politike nuk i shërbejnë seriozitetit të institucionit të presidentit.

Për këto arsye, sjelljet dhe qëndrimet e fundit të zonjës Osmani nuk më lënë më hapësirë që ta mbështes sërish në karrierën e saj politike.

Të Ngjashme