Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar se masakra e korrikut 1995 mbetet një nga plagët më të rënda në historinë e Evropës.
Në një videomesazh të transmetuar gjatë ceremonisë përkujtimore në Qendrën Memoriale në Potoçari, ku këtë të shtunë u varrosën edhe dhjetë viktima të identifikuara së fundmi, Hoxha tha se Srebrenica ishte një akt i planifikuar gjenocidi ndaj boshnjakëve myslimanë.
“Srebrenica nuk ishte vetëm një tragjedi lufte apo një akt i spastrimit etnik. Ishte gjenocid – një akt i planifikuar i vrasjes masive i drejtuar kundër boshnjakëve myslimanë”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se mohimi i gjenocidit përbën shtrembërim të së vërtetës dhe cenon drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave, duke kujtuar se krimet janë vërtetuar edhe nga gjykatat ndërkombëtare.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën, duke thënë se ajo përfaqëson një qëndrim të qartë kundër mohimit dhe revizionizmit historik.
Në përfundim, ministri shqiptar ritheksoi se Shqipëria mbetet në anën e së vërtetës, paqes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.
Ceremonia përkujtimore në Potoçari u mbajt në 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
