Lajme

Hoxhaj për protestat për UÇK-në: Brezi i ri po e shkruan testamentin e ri të atdhedashurisë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se protestat e përditshme në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po krijojnë një vetëdije dhe një ndjenjë të re patriotizmi në shoqërinë kosovare.

Në një intervistë, Hoxhaj tha se pjesëmarrja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve dhe të moshuarve, është dëshmi e solidaritetit dhe e lidhjes së fuqishme me historinë e vendit.

“Kur i shohim njerëzit duke dalë çdo ditë në protestë, sidomos të rinjtë dhe të moshuarit. Kjo ngjarje prodhon një vetëdije të re, ndërsa vetëdija e re prodhon një vetëbesim të ri”, deklaroi Hoxhaj.

Ai u shpreh optimist se Kosova mund të dalë nga kjo situatë si një shoqëri edhe më e fortë, duke shprehur besimin edhe në fitimin e betejës në Apel.

“Ne mund të dalim prej kësaj situate edhe si shoqëri më e fortë. Jo vetëm ta fitojmë Apelin, por të dalim edhe më të fortë nga kjo betejë. Situata të tilla, në fakt, krijojnë vetëbesim”, tha ai.

Sipas Hoxhajt, të rinjtë që nuk e kanë përjetuar jetën nën pushtim duhet ta shohin këtë mobilizim qytetar si një testament të ri të atdhedashurisë.

“Ata që janë të rinj dhe nuk e dinë se çfarë do të thotë të jetosh në robëri, por kanë dëgjuar vetëm nga gjeneratat e tjera, duhet ta shohin këtë angazhim si një testament të ri në raport me atdhedashurinë”, theksoi Hoxhaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 1 tetor t’i bashkohen marshit, duke thënë se solidariteti dhe mbrojtja e dinjitetit të UÇK-së duhet të jenë të palëkundura.

“Po shoh se këtu po krijohet një ndjenjë e re e patriotizmit. Ftoj secilin që më 1 tetor t’i bashkohet këtij marshi. Sa më shumë që të mobilizohemi, të jemi solidarë, ta duam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ta mbrojmë dinjitetin tonë, aq më shumë duhet të bindemi se ajo që na e solli lirinë është gjëja dhe vlera jonë më e shenjtë”, deklaroi ai.

Hoxhaj tha se, gjatë historisë, shqiptarët kanë pasur shumë luftëra, udhëheqës dhe beteja të lavdishme, por vetëm lufta e UÇK-së ka përfunduar me çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës.

“Kemi pasur luftëra, udhëheqës, beteja dhe epoka të lavdishme, por në këta dy mijë vjet vetëm njëra ka rezultuar me shtet, me çlirim dhe me pavarësi. Ishte një luftë në të cilën patëm fatin t’i kishim edhe aleatët tanë”, përfundoi Hoxhaj.

Të Ngjashme