Aktuale

Humbi jetën pas aksidentit në Fushë-Krujë, i riu ishte student në Akademinë e Forcave të Armatosura (EMRI)

19-vjeçari Leart Çim Zalla është viktima e aksidentit tragjik të regjistruar mbrëmjen e djeshme në Fushë-Krujë, ku u përplasën tre automjete.

Learti ishte student i vitit të parë në programin “Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes” në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Lidhur me ikjen e tij të parakohshme, ka reaguar edhe Akademia e Forcave të Armatosura, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e 19-vjeçarit.

“Me hidhërim të thellë mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Leart Çim Zallës, 19 vjeç, student i vitit të parë në programin ‘Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes’ në Akademinë e Forcave të Armatosura”, thuhet në reagimin e Akademisë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 21:15, në vendin e quajtur “Kameras”. Si pasojë e përplasjes, dy drejtues automjetesh mbetën të plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa Leart Zalla, i cili ishte pasagjer në një prej automjeteve, ndërroi jetë në spital.

Akademia e Forcave të Armatosura e ka cilësuar humbjen e 19-vjeçarit si një dhimbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.

“U prehtë në paqe!”, përfundon reagimi i Akademisë.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Të Ngjashme