Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, të vrarë më 26 shtator 1998.
Kurti ka thënë se krimet e kryera ndaj familjes Deliu janë dëshmi e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Ai ka përmendur edhe masakrën e Gollubovcit të Malishevës, ku po atë ditë u vranë civilë shqiptarë.
“Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet”, ka shkruar Kurti, duke kërkuar rritjen e trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.
Postimi i plotë:
Nga foshnja në barkun e nënës Luljetë, të cilën ajo do ta quante Malësor ose Malësore, te Mihanja e cila një ditë më parë kishte mbushur 28 vjet dhe i biri i saj Valmiri, i cili kishte pesë ditë që i kishte mbushur dy vjet, te Lumnija dhe foshnja e saj në javën e gjashtë të jetës Dituria, e cila i mbijetoi masakrës por vdiq 54 ditë më vonë, tek Antigona dhe Mihanja 14 dhe 16 vjeçe, e deri te më i vjetri, Fazli Deliu, 94 vjeç.
Përmasa dhe llojet e krimeve çnjerëzore që aparati shtetëror i Serbisë kreu ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, më 26 shtator 1998, janë dëshmia e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë.
Prerja e barkut të një shtatëzëne, vrasja e një nëne tjetër bashkë me fëmijën dy vjeç dhe e tjetrës që mbante në duar foshnjën 40 ditëshe, dhunimi e masakrimi i vajzave 14 e 16 vjeçe, sikurse gjymtimi që iu bë kufomave pasi fillimisht ishin qëlluar me plumb në kokë, janë dëshmia e mizorisë dhe barbarisë, si dhe rezultati i urrejtjes së mbjellë ndaj shqiptarëve për dekada nga akademia serbe, ideatores që fshihet prapa perdes teksa sheh frytet e politikës së saj fashiste, shoviniste e ekspansioniste.
Po atë ditë, më 26 shtator 1998, aparati i armatosur shtetëror i Serbisë kreu masakër në fshatin Gollubovc të Malishevës, duke lidhur e torturuar dhe më pas ekzekutuar civilë shqiptarë.
Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet, andaj trysnia ndërkombëtare ndaj fqinjit verior duhet të jetë më e madhe se kurrë më parë.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë Kosovës!
