Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka ritheksuar kërkesën për përgjegjësi politike dhe zgjedhje të brendshme në parti, duke vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për reflektim të thellë pas rezultateve zgjedhore.
Përmes një postimi publik, Bajrami kujtoi se që në janar kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, duke argumentuar se përgjegjësia politike nuk duhet të jetë selektive.
“Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj:
Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme.
E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë.
Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.
Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.
Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë.
Qëndrimi im nuk ka ndryshuar.
LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.
LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!
Hykmetja
