Lajme

Hyseni: Nuk ka dilema kushtetuese për seancën e nesërme

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë se nuk sheh dilema kushtetuese lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për nesër.

Duke folur për afatet kushtetuese dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Hyseni tha se neni 66 i Kushtetutës nuk përcakton një afat strikt për përfundimin e seancës konstituive.

“Nuk ka, nuk ka dilema kushtetuese. Nuk ka asnjë dilemë kushtetuese sepse neni 66 i Kushtetutës është shumë i qartë. Domethënë neni është shumë i qartë, nuk parasheh afate, nuk parasheh pasoja”, tha Hyseni në RTK Prime.

Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin 30-ditor lidhet me një rast konkret të vitit të kaluar dhe, sipas tij, rrethanat e atëhershme dallojnë nga situata aktuale.

“Aktgjykimi i referohet një rasti konkret të vitit të kaluar… Tani nuk jemi tek kjo rrethanë. Tani jemi tek faza e parë, vetëm hapi i parë është kryer, ai i betimit”, tha ai.

Hyseni shtoi se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por vlerësoi se në rastin aktual nuk mund të bëhet automatikisht referimi te vendimi i vitit të kaluar.

Të Ngjashme