Lajme

I akuzuari mohon se ka futur në sistem vota në mënyrë të kundërligjshme për ish-ministren Haradinaj-Stublla

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për falsifikim të votave në zgjedhjet e vitit 2021, të hënën gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Arbër Krasniqi deklaroi se nuk kishte futur në sistem vota në mënyrë të kundërligjshme për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla.

Në këtë rast, bashkë me Krasniqin akuzohen edhe Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili njoftoi se ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues me largimin e anëtarit- gjykatësit Ngadhnjim Arrni i cili është zëvendësuar me gjyqtarin Lutfi Shala, dhe se kanë kaluar më tepër se gjashtë muaj nga seanca e fundit.

Andaj, me pëlqimin e të gjitha palëve, trupi gjykues mori aktvendim që të gjitha deklaratat dhe veprimet e mëparshme të konsiderohen të lexuara.

Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Arbër Krasniqi lidhur me angazhimin e tij në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku deklaroi se ka punuar si “data entry” dhe jo si IT.

Ai tha se nuk kishte futur vota në sistem kundërligjshëm, ndërkaq për kartelën identifikuese (bexhin) me emrin “Arigon Beka”, Krasniqi deklaroi se i ishte dhënë nga zyrtarët e qendrës.

Krasniqi sqaroi se kjo kishte ndodhur si pasojë e vonesave dhe vështirësive procedurale për t’u pajisur me një kartelë të re identifikuese në emrin e tij.

Ai deklaroi se zyrtarët e QNR-së i kishin thënë ta shfrytëzojë atë bexh ngase është procedurë e gjatë të pajiset me tjetër.

I akuzuari tha se kishte vepruar sipas këtyre udhëzimeve vetëm që të mund të fillonte punën si numërues pa pritur përfundimin e procedurave administrative.

Lidhur me njoftimin me të akuzuarin Sahit Mataj, i akuzuari Krasniqi deklaroi se Mataj ishte një nga punonjësit në të njëjtën sallë në QNR dhe se ai i ishte afruar i pari tavolinës së tyre në mënyrë shoqërore.

Krasniqi shpjegoi se Mataj afrohej herë pas here jo vetëm te tavolina e tij, por edhe te tavolinat e tjera përreth, duke i pyetur punonjësit nëse kishin nevojë për diçka.

Lidhur me rrethanat e takimit me Jetmir Bytyqin, Krasniqi tha se i akuzuari Mataj e kishte thirrur për t’u takuar me të në një pompë derivatesh. Tha se ai e kishte njoftuar paraprakisht për këtë takim duke i treguar se bëhej fjalë për një rast ku dyshohej për keqpërdorim të votave.

 “Sahiti më ka njoftuar që po dua me u taku me dikë, në këtë rast me Jetmirin”, u shpreh Krasniqi.

I akuzuari Krasniqi shtoi se Mataj i kishte thënë se Bytyqi po pretendonte se po i vidheshin votat dhe qëllimi i takimit ishte përgatitja e një skenari për t’i bërë këto dyshime mediatike me qëllim që të arrihej një rinumërim i votave.

Ai shtoi se gjatë rrugës për në takim, Mataj kishte komunikuar vazhdimisht përmes telefonit me Bytyqin, duke e njoftuar për afërsinë e tyre me vendin e takimit.

Sa i përket momentit të takimit, Krasniqi pohoi se ai nuk e njihte Jetmir Bytyqin paraprakisht dhe se prezantimi ishte bërë nga i akuzuari Sahit Mataj në tavolinë.

Sipas tij, pas uljes në tavolinë, Bytyqi pasi e kishte kuptuar pozitën e tij si punonjës në QNR, i kishte kërkuar drejtpërdrejt benefite.

“Normalisht ajo natyra e atij takimi ka qenë për atë. Ai ka kërkuar benefite”, tha Krasniqi.

I akuzuari deklaroi se paratë ishin përmendur gjatë asaj bisede, por ai kur nuk kishte përfituar.

“Paratë janë përmend, por a janë krijuar benefite apo nuk janë krijuar benefite për ato para që përmend? Unë nuk e di. Nga unë asnjëherë”, thotë tutje i akuzuari.

Sipas tij, takimi kishte zgjatur rreth 30-40 minuta dhe pas përfundimit të tij, Krasniqi ishte larguar me makinën me të cilën kishte ardhur, ndërsa Mataj kishte hyrë në makinën e Bytyqit.

I pyetur për përdorimin e termit “strukturë shumë e ndyrë” në deklarimet e tij të kaluara, i akuzuari sqaroi se me atë fjalë ka dashur të nënkuptojë “skenarin” para të cilit është gjetur. Tha se më këto fjalë nuk i është drejtuar të akuzuarit Mataj, por situatës së krijuar.

Sipas Krasniqit, qëllimi i tërë këtij organizimi nga ana e Jetmir Bytyqit ishte që përmes publikimit të video-incizimit të ushtronte presion për rinumërimin e votave, pasi ai dyshonte se po i vidheshin votat.

I akuzuari Krasniqi deklaroi se nuk kishte vërejtur ndonjë parregullsi në favor të ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla.

“Në tavolinën ku kam qenë unë duke numëruar votat, nuk ka pasur asnjë vjedhje votash”, shtoi ai.

I akuzuari theksoi se pas publikimit të videos, e kishte thirrur në telefon të akuzuarin Mataj për ta pyetur rreth arsyes së këtij veprimi.

 “Ti je i pastër dhe s’ke nevojë të brengosesh”,citoi Krasniqi t’i ketë thënë Mataj.

Në fund të dëshmisë se tij, i akuzuari tha se e fton Matajn të tregojë të vërtetën që di, cilado qoftë ajo.

Pas përfundimit të mbrojtjes së të akuzuarit Arbër Krasniqi, seanca u ndërpre me kërkesën e avokatit Imer Beka, mbrojtës i të akuzuarit Ilirjan Hysenaj.

Avokati Beka njoftoi trupin gjykues se nuk mund të vazhdonte tutje ngase nuk ndihej mirë me shëndet.

Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.

Kurse, Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.

Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, vazhdoi procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, pasi i njëjti gjykohej në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.

Të Ngjashme