Një ditë më parë përfundoi në prangat e policisë Lushnje një mësues 60-vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur, me mesazhe.
Një i afërm ka dhënë një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku është shprehur se nuk mendo se ai e ka bërë një gjë të tillë. Sipas tij, e gjithë kjo mund të jetë shantazh.
“Me thënë të drejtën unë e kam djalë xhaxhai dhe unë nuk besoj dhe shumë të tjerë kanë thënë se nuk besojnë. Ai ka qenë shumë i pastër, e njoh shpirtërisht, kam qëndruar një kohë të gjatë me të. Nuk e di arsyen, mund të jetë shantazh”, tha djali i xhaxhait të mësuesit.
I pyetur nëse mendon se është një histori e sajuar, i afërmi u shpreh ‘ndoshta po’.
“Mund të jetë e sajuar. Nuk e besoj, jo se e kam timin. Babain e ka pasur mësues, me ato mburreshim. Ai është njeri i pastër me ndërgjegje, nuk ma merr mendja që ai të jetë në këtë fazë”, tha i afërmi i 60-vjeçarit.
Ai shtoi më pas se mësuesi ka humbur nënën para 3 vitesh dhe tani kanë frikë edhe për babain e tij.
“Kur ne e presim kaq keq, ata akoma me keq. Xhaxhai im është në një moshë, është i sëmurë, deri para 3 vitesh i vdiq e shoqja, do na ikë edhe ky”, vijoi duke thënë i afërmi.
Ai më pas u shpreh se nëse e ka bërë një gjë të tillë, është e drejta e shtetit që t’a dënojë.
“Për atë vë dorën në zjarr. Edhe nëse e ka bërë, nuk e di ca mesazhesh janë shkruar me sms, është e drejta e shtetit ta dënojë. Edhe pse është i imi, edhe po të jetë djali im, pisllëkun e dënoj 200 për qind”, përfundoi i afërmi.
Ndërkohë një tjetër banor i zonës në fjalë, u shpreh se i ka ardhur ‘shumë çuditshëm’ kur ka dëgjuar lajmin për mësuesin.
“E njihnim si njeri shumë shembullor, si atë dhe babain e tij. Edhe si familje ka qenë e ngritur, më erdhi shumë e çuditshme. Kam 34 vite këtu nuk kam dëgjuar kështu budallaqesh. Mund të jetë e kurdisur. Ka njeri ta bëjë këtë punë, nuk ma merr mendja. Kaq shumë vite mësues. Nuk e di, për mendimin tim, si njeri e njoh shembullor. Nëse e ka bërë, ku e dimë, shpirti i tij e di”, tha ai.
Banori shtoi se mësimi vijon normalisht dhe nuk ka pengesa.
“Fjalë mund të ketë. Nuk e merr dot lehtë, se nuk është e lehtë për komunitetin dhe fshatin”, përfundoi ai./Top Channel
