Lajme

I vetmi njeri, hiri i të cilit prehet në Hënë: Ajo që ndodhi pas vdekjes së tij hyri në histori

Shkencëtari që përgatiti astronautët për misionet hënore nuk arriti kurrë vetë në hapësirë, por fati e çoi atje në mënyrën më të pazakontë

Jemi mësuar ta mendojmë Hënën si një vend të shkretë, ku kanë shkelur vetëm pak astronautë. Por një fakt shumë më pak i njohur është se në sipërfaqen e saj ndodhet hiri i një njeriu: astrogeologut të famshëm amerikan Eugene Shoemaker.

Shkencëtari, i cili nuk arriti kurrë të udhëtonte në hapësirë sa ishte gjallë, mbeti në histori si i vetmi person, një pjesë e hirit të të cilit është dërguar në Hënë.

Njeriu që ndihmoi astronautët ta kuptonin Hënën

Eugene Shoemaker lindi në Los Angeles më 1928. Që i ri u orientua drejt gjeologjisë dhe më vonë u bë një nga themeluesit e astrogeologjisë – disiplinë që studion përbërjen, strukturën dhe historinë gjeologjike të planetëve, satelitëve dhe trupave të tjerë qiellorë.

Kur Shtetet e Bashkuara nisën programin Apollo, Shoemaker u përfshi drejtpërdrejt në përgatitjet shkencore për eksplorimin e Hënës. Ai luajti rol të rëndësishëm në hartëzimin gjeologjik të sipërfaqes hënore dhe në përgatitjen e astronautëve.

Në Meteor Crater, në Arizona, ai u mësonte astronautëve si të identifikonin formacionet gjeologjike dhe si të zgjidhnin mostrat më të vlefshme për t’i sjellë në Tokë.

Vetë Shoemaker ëndërronte të bëhej astronaut. Megjithatë, një problem shëndetësor ia pamundësoi përzgjedhjen për fluturim në hapësirë, diçka që e kishte përjetuar si një zhgënjim të madh personal.

Image

Zbulimi që bëri histori

Bashkëshortja e tij, Carolyn Shoemaker, ishte gjithashtu e përfshirë fuqishëm në kërkimet astronomike. Në vitin 1993, Eugene dhe Carolyn Shoemaker, së bashku me astronomin David Levy, zbuluan kometën Shoemaker-Levy 9.

Një vit më vonë, bota shkencore ndoqi diçka të jashtëzakonshme: fragmentet e kometës u përplasën me Jupiterin. Ishte hera e parë që shkencëtarët patën mundësi të vëzhgonin drejtpërdrejt një përplasje të tillë mes trupave të mëdhenj të Sistemit Diellor.

Për kontributin e tij, Shoemaker mori një sërë çmimesh dhe nderimesh, ndër to edhe Medaljen Kombëtare të Shkencës të SHBA-së.

Një udhëtim që përfundoi tragjikisht

Edhe në vitet e mëvonshme, Shoemaker vazhdoi të studionte krateret e krijuara nga goditjet e meteorëve. Në verën e vitit 1997, ai dhe Carolyn udhëtuan në Australi për kërkime shkencore.

Më 18 korrik, pranë Alice Springs, automjeti i tyre u përplas me një tjetër. Eugene Shoemaker humbi jetën në moshën 69-vjeçare, ndërsa bashkëshortja e tij mbijetoi me lëndime të rënda.

Ëndrra që iu realizua pas vdekjes

Pas vdekjes së tij, u vendos që një pjesë e hirit të Shoemakerit të udhëtonte atje ku ai kishte ëndërruar gjithmonë të shkonte.

Në vitin 1998, një sasi e vogël e hirit të tij u vendos në sondën hapësinore Lunar Prospector, e cila kishte për detyrë të studionte sipërfaqen dhe përbërjen e Hënës.

Pasi përfundoi misionin, më 31 korrik 1999, sonda u drejtua qëllimisht drejt sipërfaqes hënore dhe u përplas me të. Bashkë me të përfundoi në Hënë edhe kapsula që përmbante hirin e Shoemakerit.

Kështu, njeriu që kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës duke studiuar Hënën dhe duke përgatitur të tjerët për të shkelur mbi të, arriti atje vetëm pas vdekjes.

Deri më sot, Eugene Shoemaker mbetet i vetmi njeri, hiri i të cilit prehet në Hënë.

Të Ngjashme