Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar përditësimin e parashikimit të motit për periudhën 18–20 nëntor 2026, duke paralajmëruar se vendi do të përballet me mot relativisht të ngrohtë për këtë periudhë të vitit, por edhe me paqëndrueshmëri atmosferike dhe erëra të forta.
Sipas IHMK-së, të mërkurën parashihet mot relativisht i ngrohtë, me vranësira që do të shtohen gradualisht gjatë ditës. Nuk përjashtohen as reshjet shumë të lehta të shiut, ndërsa temperaturat minimale do të jenë rreth 9 gradë Celsius dhe maksimalet deri në 16 gradë.
Ndryshimi më i theksuar i kushteve meteorologjike pritet të ndodhë të enjten, më 19 nëntor. Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe intervale pa reshje.
Gjatë kësaj dite, temperaturat maksimale pritet të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa shqetësim më i madh paraqesin erërat e forta nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor.
Sipas parashikimit, shpejtësia e erës do të arrijë nga 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë rafaleve mund të jetë edhe më e lartë. Intensiteti më i madh pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Për këtë arsye, IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, duke rekomanduar sigurimin e objekteve të lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të tjera të jashtme.
Kujdes i veçantë kërkohet edhe për tabelat reklamuese, skelat e ndërtimit dhe gjatë qarkullimit rrugor, veçanërisht në hapësirat e ekspozuara ndaj erës.
Ndërkaq, të premten, më 20 nëntor, pas kalimit të frontit atmosferik, pritet përmirësim gradual i motit. Kushtet meteorologjike do të jenë kryesisht të thata, me kthjellime dhe vranësira të shpërndara.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mund të arrijnë deri në 17 gradë. Era do të fryjë nga veriu dhe veriperëndimi, fillimisht me intensitet më të lartë, por pritet të dobësohet gjatë ditës.
Sa i përket ditëve në vijim, nga e shtuna parashihet rënie graduale e temperaturave, me maksimale që do të zbresin në 9 deri në 11 gradë Celsius. Moti pritet të mbetet kryesisht i thatë, megjithëse nuk përjashtohen reshje të lehta lokale gjatë orëve të vona.
IHMK u ka rekomanduar qytetarëve që të përshtatin veshjen me ndryshimet e temperaturave ndërmjet mëngjesit dhe ditës, si dhe të ndjekin njoftimet e ardhshme për zhvillimet meteorologjike.
