Të shtunën në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta, të cilat do të jenë më të theksuara në viset malore.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 12°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 29 deri në 34°C.
Era do të jetë kryesisht e dobët, nga drejtime të ndryshueshme, me shpejtësi 1–4 m/s.
Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të mira dhe të favorshme. Megjithatë, temperaturat e larta gjatë ditës mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike, ndërsa netët më të freskëta pritet të krijojnë kushte më të përshtatshme për pushim dhe gjumë.
Edhe kushtet agrometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për punët bujqësore, veçanërisht për vjeljen dhe pjekjen e kulturave. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta mund të rrisin nevojën për ujitje të kulturave që janë ende në fazat aktive të zhvillimit.
Ndërkohë, indeksi UV do të jetë mesatar deri i lartë, me vlera 5–6, veçanërisht gjatë mesditës, ndaj rekomandohet mbrojtje nga ekspozimi i zgjatur në diell.
Përndryshe, ngarkesë termike do të thotë që trupi ndien stres nga temperaturat e larta, sidomos gjatë orëve të nxehta të ditës kur temperaturat janë të larta, mund të shfaqen lodhje dhe plogështi; djersitje e shtuar; etje dhe dehidratim; dhimbje koke; marramendje dhe ndjesi e përgjithshme e parehatisë nga nxehtësia.
