Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore funksionon në Kosovë që nga viti 2018, ndërsa projektligji që e shndërron atë në agjenci qendrore është miratuar vetëm në lexim të parë. Megjithatë, gazeta Veçernje Novosti në Beograd e paraqet këtë projektligj si plan për marrjen e kishave serbe.
Në shkrimin e botuar të enjten në mëngjes, gazeta pretendon se Prishtina synon të vërë nën kontroll trashëgiminë kulturore serbe. Në titull shkruhet se inspektorët “do të mund t’i ndjekin murgjit” e Kishës Ortodokse Serbe.
Edhe burimi i gazetës e pranon mbikëqyrjen
Burimi i vetëm i artikullit, deputetja e Listës Serbe Jovana Radosavleviq, thotë në të njëjtin shkrim se mbikëqyrja profesionale e trashëgimisë “nuk është aspak kontestuese” as për kishën, as për partinë e saj. Shqetësimi i saj lidhet me kompetencat e inspektoratit dhe me mungesën e një referimi të qartë në ligjet ekzistuese. Mundësinë e ndjekjes penale të murgjve ajo e paraqet si skenar hipotetik, jo si dispozitë të projektligjit. Titulli i gazetës e kthen këtë skenar në fakt.
Çfarë parasheh projektligji
Sipas Radios Evropa e Lirë, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ekziston që nga viti 2018 dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Me ligjin e ri ai kalon nga statusi i departamentit në atë të një agjencie qendrore.
Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, tha se bëhet fjalë për riorganizimin e një inspektorati që tashmë është në funksion. Ajo sqaroi se inspektorati ka edhe sot të drejtë të ndërhyjë kur kryhen punime pa leje dhe se kjo kompetencë nuk ndryshon me ligjin e ri.
Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës thotë se projektligji përcakton themelimin, organizimin dhe funksionimin e inspektoratit si organ ekzekutiv. Ky organ kontrollon në çfarë kushtesh ruhen asetet e trashëgimisë kulturore dhe merr masa mbrojtëse kur është e nevojshme.
Procedura është ende e hapur
Kuvendi i Republikës së Kosovës e miratoi projektligjin në lexim të parë më 20 nëntor. Tani ai shqyrtohet në komisionin përkatës, ku trajtohen vërejtjet e palëve të interesuara dhe amendamentet. Pas kësaj, teksti kthehet në Kuvend për lexim të dytë.
Lista Serbe ka dorëzuar pesë amendamente, të cilat kërkojnë që në ligj të shkruhet qartë se respektohen Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligji për Lirinë Fetare. Edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kërkuar që projektligji të harmonizohet me legjislacionin ekzistues dhe me garancitë kushtetuese.
Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, që mbron manastiret dhe kishat ortodokse serbe në Kosovë, mbetet në fuqi. Projektligji për inspektoratin nuk e shfuqizon atë.
