Lajme

Irani thotë se i ka paraqitur SHBA-së planin për rihapjen e Hormuzit

Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Ai u tha gazetarëve në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Irani ka propozuar një plan shtatë ditor.

Sipas tij, Irani i ka përcjellë SHBA-së, përmes ndërmjetësve, një propozim që parashikon se, nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet në fund të ditës së shtatë dhe do të rifillojnë bisedimet mes dy vendeve.

Araghchi nuk tregoi se cilat janë kushtet, por tha se ato nuk janë më shumë se ato për të cilat Irani dhe SHBA-ja kishin rënë dakord në qershor.

Sipas “New York Times” dhe CNN, propozimi iranian iu dorëzua SHBA-së përmes një ndërmjetësi.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për CNN se të dyja palët po zhvillonin diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve.

Përfaqësues të SHBA-së dhe Iranit zhvilluan të martën bisedime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Këto ishin negociatat e para të drejtpërdrejta mes tyre pas disa muajsh.

Më herët Irani ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të bllokadës detare amerikane pranë brigjeve iraniane, lirimi i pasurive iraniane të ngrira dhe përfundimi i luftës në të gjitha frontet.

Të Ngjashme