Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-zëvendëskryetari i Bashkisë Kamëz, Vendim Demaj, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shprehur kritika ndaj asaj që ai e quan ndikim të vazhdueshëm të strukturave të vjetra në drejtimin e partisë.
Në një prononcim për zhvillimet në LDK, Demaj ka akuzuar ish-kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa, se sipas tij, vazhdon të ketë ndikim në zhvillimet e brendshme dhe po e pengon konsolidimin e lidershipit aktual të Lumir Abdixhikut.
“Isa Mustafa vazhdon ta mbajë peng dhe ta dëmtojë LDK-në, partinë që e themeloi Presidenti Ibrahim Rugova”, ka deklaruar Demaj.
Ai ka kritikuar nismën e një grupi anëtarësh të LDK-së për mbledhjen e firmave dhe thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm për të sfiduar mandatin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, i cili, sipas tij, vetëm shtatë muaj më parë mori besimin e anëtarësisë me 54 për qind të votave.

Vendim Demaj
“Ky është një zhvillim i paprecedentë në politikën kosovare dhe vjen në momentin më të papërshtatshëm për LDK-në dhe për Kosovën. Në vend që partia të fokusohet në sfidat e vendit dhe forcimin e rolit të saj politik, energjitë po shpenzohen në beteja të brendshme për pushtet”, është shprehur Demaj.
Sipas tij, problemi kryesor nuk është vetëm rezultati zgjedhor i LDK-së, por përplasjet brenda strukturave të saj dhe frika e disa figurave të vjetra nga një forcim i mëtejshëm i Lumir Abdixhikut.
“Problemi nuk qëndron vetëm te fakti që LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. Problemi qëndron te frika e një pjese të strukturave të vjetra se një marrëveshje e mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së për krijimin e institucioneve do ta forconte politikisht Lumir Abdixhikun dhe do t’i jepte LDK-së një rol vendimmarrës në qeverisjen e vendit”, ka thënë ai.
Demaj ka drejtuar kritika edhe ndaj figurave që, sipas tij, janë të afërta me ish-kryetarin Isa Mustafa, duke përmendur Abdullah Hotin, Agim Veliun, Arben Gashin dhe Armend Zemajn.
“Kjo është një përpjekje e grupit të njerëzve që për vite me radhë e kanë trajtuar LDK-në si pronë private. Në vend që të kontribuojnë për ringritjen e partisë, ata vazhdojnë të merren me intriga, pazare dhe luftëra të brendshme”, ka deklaruar Demaj.
Ai ka përmendur edhe disa figura lokale të LDK-së, duke i bërë përgjegjëse për rezultatin e dobët zgjedhor të partisë.
“Duhet të mos harrohen edhe disa nga humbësit kryesorë të zgjedhjeve të 7 qershorit, si kryetarët e komunave të Pejës dhe Lipjanit, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti”, ka thënë ai.
Sipas Demajt, LDK-ja duhet të shkëputet nga konfliktet e brendshme dhe të përqendrohet në të ardhmen.
“LDK-ja nuk mund të ecë përpara duke parë gjithmonë nga e kaluara. Nëse vazhdon kjo logjikë e sabotimit të brendshëm, dëmi nuk do t’i bëhet vetëm Lumir Abdixhikut, por vetë LDK-së dhe trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës”, ka përfunduar Vendim Demaj.
