Ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, Betim Osmani, dhe ish këshilltar komune në këtë qytet ka folur dje për “Bota Sot” lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Milosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Ndërsa, Beogradi hesht ose mbron deklaratën, zëri i qytetarëve të Kosovës, sidomos nga veriu, është i qartë.
Betim Osmani në një bisedë ekskluzive për “Bota Sot” nga Mitrovica e Veriut, tha se shqiptarët nuk frikësohen nga retorika e tillë serbe dhe se Kosova duhet të jetë më e fortë dhe serioze për të fituar respektin ndërkombëtar.
Bota Sot: Z. Osmani, çfarë mendoni për deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç?
Betim Osmani: Një gjë duhet ditur botërisht: Serbia dhe pushteti i Millosheviçit ka bërë spastrim etnik si shtet i organizuar. Kjo nuk ishte veprim individual, por politikë shtetërore.
Bota Sot: Si e vlerësoni këtë deklaratë? A mendoni se pasqyron mendimin zyrtar të Beogradit apo është vetëm një mendim personal?
Betim Osmani: Nuk më çudit fakti që një ministre e këtij pushteti në Serbi flet kështu. Deklarata e saj pasqyron mendimin real të Beogradit.
Bota Sot: Çfarë mendoni për faktin që një ministre e qeverisë serbe mbron hapur ide të spastrimit etnik pa pasoja, dhe mbrohet edhe nga Ivica Daçiç, i cili është gjithashtu i lindur në Kosovë, dhe ministër i brendshëm në Serbi?
Betim Osmani: Edhe mbështetja nga Ivica Daçiç nuk më çudit. Të dy janë të lindur në Kosovë, por baballarët dhe gjyshërit e tyre kanë qenë kolonë. Ata janë paguar mirë për qëndrimin e tyre këtu – me tokë, paga dhe shumë benefite të tjera që u ka ofruar Serbia. Me fjalë të tjera, kanë obligim të jenë racistë, shovinisë, çetnikë dhe urrejtës të shqiptarëve të Kosovës, sepse me urrejtjen ndaj nesh ata mbajnë pushtetin dhe nuk i humbasin benefite që Serbia vazhdon t’ua japë.
Bota Sot: Si e shihni kontrastin mes pjesëmarrjes së saj në Grupin Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri (2016-2020) dhe deklaratave të fundit kundër shqiptarëve?
Betim Osmani: Serbia bën politikë shovinishte jo vetëm tani, por gjithmonë e ka bërë. Prandaj nuk më çudit pjesëmarrja e saj në këto grupe paqeje. Këta vetëm paqe nuk duan, atyre u shërben si kamuflazh. Ne si shqiptarë dhe si fqinjë të tyre kemi obligim që t’ia tregojmë botës qëllimet e tyre pa pushuar kurrë. Vetëm kur e gjithë bota t’i njohë ato, ne do të jemi më mirë.
Bota Sot: Si qytetar i Kosovës, çfarë prisni nga Shqipëria zyrtare në raste të tilla dhe si ndikon kjo heshtje në sigurinë dhe të ardhmen tuaj?
Betim Osmani: Besoj se ne si Kosovë duhet të jemi të fortë dhe seriozë në punët tona të jashtme e të brendshme. Atëherë do të kemi ndikim edhe te shtetet e tjera. Përderisa jemi kështu si jemi – të paqëndrueshëm – do të kemi mosmarrëveshje edhe me Shqipërinë, e lëre më me fqinjët e tjerë dhe shtetet europiane.
Bota Sot: A ju frikësojnë deklarime të tilla?
Betim Osmani: Jo, nuk frikësohem fare. Një gjë e kemi ne shqiptarët që serbët si popull nuk e kanë: ne vdesim për atdhe dhe këtë nuk e shtyjmë. Sa pak që Kosova ka ecur përpara në çështjen e sigurisë… Populli ynë është shumë i dashur dhe luftëtar, me shumë miq shtete e pushtete. Edhe pse këtë gjë duhet ta udhëhiqte shteti, tek ne është ndryshe: qytetarët janë më të koordinuar sesa pushteti dhe shteti.
